Thursday, September 19, 2024
HomeLajmeKosovaAfro 300 mijë euro për 1 km metër rrugë – Tenderi i...

Afro 300 mijë euro për 1 km metër rrugë – Tenderi i fituar nga i akuzuari për mashtrim alarmon opozitën në Gjilan

Komuna e Gjilanit që udhëhiqet nga Alban Hyseni po vazhdon t’a shpërblejë me tenderë pronarin e kompanisë së akuzuar për mashtrim. Afro 300 mijë euro i janë besuar kompanisë “El-Bau” së Fatlum Pirevës. E dhënia e këtij tenderi ka alarmuar opozitën në Gjilan. Ndërkohë që sipas tyre po ndodhë “hajnia e radhës” Prokuroria po rri në gjumë.

Këto akuza i ka hedhur këshilltari komunal i Lidhjes Demokratike, Muhadin Haziri.

Sipas Hazirit, 70 mijë euro më shumë i janë dhënë kompanisë “El-Bau” për rregullimin e trases në fshatin Sefer, ndërkohë që vlera në procedurat e prokurimit ishte 231.405 euro.

“Komuna e Gjilanit paska shpallur fitues operatorin ekonomik më te favorshum me 298731.15€ për rregullimin e trases në fsh.Sefer Në planifikimin e buxhetit ishin parapar si vlerë e parashikuar 230,000.00€ edhe atë si ndarje në proporcion me fshatrat Zhegër,Isufaj,Sefer e Shurdhan, ndërsa shpallja permes procedurave të prekurimit është bere rregullimi i trases rrugës për fsh.Sefer në vlerë 231,405.27€”, shkroi ai në Facebook.

Haziri është habitur se së janë ndarë kaq shumë para për rregulimin e një rruge jo më shumë se 1 mijë metra gjatësi.

“A thua ka mundi ti ndaj jashta planifikimit edhe 70,000.00€ z.Alban Hyseni që në total ta shpall operatorin ekonomik fitues edhe atë sipas vleres së kontratës me 298731:15€ për rregullimin e rrugës jo më shumë se (1000 ) metra gjatsi per trasen e kësaj rruge edhe atë rrugë e rendit të tretë vetëm zgjerim dhe zhavor, pa asfallt, që fare nuk e lidh fsh.Sefer por krejt kahje tjetër e kësaj rruge duke mundësuar më leht të behet prerja ilegale e drunjëve-trafikantëve”.

Ai e ka akuzuar kryetarin Hyseni dhe drejtorin e Urbanizmit për vjedhje edhe në këtë tendër.

“Kjo ështe hajnia e radhës, Hajni ordinere e orkestruar me qëllim te perfitimeve personale pirolla koft Albano! Sigurisht bashkë me Drejtorin tuaj të Urbanizmit po nëse e realizoni sigurisht se do ta ju beje zgjidhje per ti tejkaluar disa veshtersi ekonomike trenin e fundit e keni veproni mos të ju vie marre”.

Këshilltari komunal i LDK-së tha se kjo është arsyeja pse nuk po votohet buxheti i komunës, për shkak se sipas tij diçka tjetër paraqitet dhe diçka tjetër veprohet.

Theksojmë se kjo nuk është hera e para që Alban Hyseni i Vetëvendosjes favorizon biznesmen të akuzuara për mashtrim. E një tentativë edhe i dështoi. Ajo e afro 15 milionëshit për renovimin e stadiumit të Gjilanit, për cilin Insajderi raportoi ekskluzivisht derisa tenderi u anulua në tërësi për t’u rishpallur sërish.

Për çka akuzohet biznesmeni Fatlum Pireva?

Afaristi Fatlum Pireva i “El Bau”, që ishte pjesë e konsorciumit të lotit dy për rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë bashkë me firmën e Shabanit, ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale mashtrim.

Fatlum Pireva së bashku me Suad Pirevën dhe Muhadin Zukën dyshohet si i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit në vlerë prej afro 3 mijë euro.

Avokati i biznesmenit, Pireva më 31 maj të 2022-ës i kishte propozuar gjykatës që procedura penale ndaj tij të pushojë për shkak të parashkrimit. Propozim ky i cili ishte refuzuar nga prokurori e gjyqtari i rastit.

Sipas gjykatës, të pandehurit Fatlum Pireva dhe Suad Pireva, akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.

Pireva dhe Shabani kanë fituar një tender të dyshimtë në Komunën e Mitrovicës. Ndonëse Komuna e Mitrovicës kishte paraparë që ky projekt të kushtojë 600 mijë euro, fituesit e tenderit Bujar Shabani e Fatlum Pireva të akuzuar për mashtrim kanë ofruar çmimin prej 892.453 euro, që i bie afro 50% më shtrenjtë se vlera fillestare e ofruar.

/Insajderi

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments