Talibanët sunduan Afganistanin nga viti 1996 deri në vitin 2001. Shumica e anëtarëve të tyre janë pashtunë, grupi më i madh etnik në vend.Themeluesi i tyre ishte Mullah Mohammad Omar, një imam lokal në qytet, i cili i udhëhoqi militantët deri sa vdiq në vitin 2013. Ata zbatojnë sheriatin. Një ligj islamik ky, që për Yamar Farhadin mysliman, është i rreptë.
“Talebanët s`dojnë që afganët të punojnë me evropianë e amerikanë. Të tillët i quajnë qafirë. Talibanët janë të rrezikshëm, mbysin gazetarët, aktivistët dhe artistët”, vlerëson ai.
Në kategorinë e fundit hyn edhe vetë. Ai është piktor.
Vizatoj grafite nëpër rrugë. E talibanët nuk duan art. I urrejnë këta njerëz. S`duan as demokraci. As rrjete sociale”, shprehet ai.
Profesioni i tij prej vizatuesi është i njëjtë me atë të nikoqirit – kryeministrit shqiptar – Edi Rama.
“Kam fol me të. Ka profesionin e ngjashëm me mua. I kam thënë atij se dua ta bëj një mural në Tiranë”, deklaroi Farhad për Front Online.
Farhad dhe gjithë afganët e tjerë të vendosur në Shqipëri thonë se po presin aprovimin e procedurave të azilit dhe se do të shkojnë në SHBA. Për aq kohë sa po qëndrojnë në tokën shqiptare, atyre po u pëlqen mikpritja.
“Shqiptarët janë njerëz shumë të mirë. Dua t`i falenderoj për mikpritjen”, u shpreh Ferhad.
Afgani jep një premtim.
“Do të kthehem këtu prapë, edhe pasi të shkoj në Amerikë. Dua t`i pikturoj këto rrugë”, u shpreh afgani.
Rrëfimin e tij e mbyll ëmbël.
“E dua Shqipërinë”, thotë ai në shqip.