Një aeroplan është rrëzuar mbi një lagje afër San Diegos së Shteteve të Bashkuara, duke lënë së paku dy të vdekur e duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Aeroplani i tipit “Cessena 340” ra mbi një kamionetë të postës, duke e lënë të vdekur vozitësin, dhe më pas goditi disa shtëpi të hënën në Santee, vendbanim me rreth 50.000 persona. Besohet se edhe piloti ka vdekur dhe dy persona të tjerë u lënduan.
Një grua u nxor nga dritarja e një shtëpie që po digjej. Për këtë dhanë ndihmë fqinjët.
Në një incizim të komunikimit, të siguruar nga një televizion lokal, kontrollori dëgjohet duke e paralajmëruar pilotin para aksidentit: “Paralajmërim për lartësi të vogël, ngrihu menjëherë, ngrite aeroplanin.”
Në vendin e ngjarjes të martën në mëngjes pritet të shkojë një hetues nga Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit. Aeroplani i rrëzuar ishte pronë e Dr. Sugata Das, i cili mund të ketë qenë duke e drejtuar mjetin dhe mund të ketë vdekur në aksident.