Një sërë emërimesh të reja, përkatësisht një lloj riorganizimi diplomatik, por edhe mesazhet e zyrtarëve të lartë amerikanë gjatë muajve të fundit, gjithnjë e më shumë po tregojnë se administrata e re amerikane po ndryshon mënyrën e angazhimit në Ballkan.
Kulmi i atij procesi, i cili filloi me emërimin e Gabriel Escobar si i dërguar i posaçëm për Ballkanin, është emërimi i fundit i ambasadorit të ri në Beograd, Christopher Hill, në një kohë kur mandati aktual nuk ka përfunduar ende. Gjatë verës u emërua ambasadori i ri i SHBA-së në Bosnjë e Hercegovinë, Michael Murphy, ndërsa Jeffrey Howiener u nominua për postin e ambasadorit të ri në Prishtinë. Përveç kësaj, James O’Brien u propozua për postin e koordinatorit për sanksionet politike amerikane, shkruan Euronews në gjuhën serbe.
Vladimir Trapara nga Instituti për Politikë dhe Ekonomi Ndërkombëtare i tha këtij mediumi se të gjithë që janë angazhuar dhe emëruar diplomatë janë persona që e njohin shumë mirë rajonin.
“Unë do të thosha se është pjesë e një qasje të përgjithshme të Administratës së Bidenit në politikën e jashtme, që emërohen njerëz me përvojë në atë që bëjnë, duke filluar nga postet më të larta në politikën e jashtme e deri te diplomatët në rajone të ndryshme”, thotë Trapara.
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike theksoi se Hill si ambasador në Beograd do të përfaqësojë edhe një lloj sfide për liderët në Ballkanin Perëndimor, sepse sugjeron një ndikim më konkret të Amerikës, transmeton Klankosova.tv.
“Ai është një diplomat me përvojë të madhe në Ballkan, ai ishte një i dërguar special për të gjitha krizat në Paqësor, ai është një negociator shumë i mirë, me autoritet dhe një zgjedhje e mirë. Kur shikoni linjën e vendosur Biden-Escobar, Hill-O’Brian për sanksione – do të jetë vështirë për liderët në Ballkanin Perëndimor”, tha Janjiq.
Marko Savkoviq nga Fondi i Beogradit për Përsosmëri Politike theksoi se Hill ka jetuar në Beograd si i ri, kur babai i tij punonte në ambasadën amerikane si këshilltar dhe më vonë në Beograd ai ishte gjithashtu bashkëpunëtor i ambasadorit.
“Duke pasë parasysh nivelin e shërbimit që ai ka arritur, edhe nëse do të ishte ambasador në Irak, postet më të larta në Departamentin e Shtetit, nuk ka dyshim se emërimi i tij dhe përvoja e mëparshme do të ishin një sinjal i qartë i vendosmërisë amerikane për të përfunduar diçka të madhe këtu”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, Vladimir Trapara deklaron se ndryshime të mëdha nuk duhet të priten pas emërimeve të reja, por që rajoni me siguri do të monitorohet nga afër nga Shtetet e Bashkuara.
“Unë jam skeptik se do të bëhet një hap më serioz përpara në trajtimin e kësaj fushe në Shtetet e Bashkuara. Është e sigurt që rajoni do të monitorohet nga afër dhe se këta njerëz do të kontribuojnë për këtë. Megjithatë, nuk jam i sigurt se do të përpiqen të zgjidhin çështjet e pazgjidhura”, tha Trapara.
Ai po ashtu thekson se është e rëndësishme se si Amerika i trajton çështjet e caktuara dhe përmend shembullin e aktiviteteve të administratës së Donald Trump kur është fjala për Kosovën.
“Është më mirë që Shtetet e Bashkuara të mos merren me çështjen e Kosovës, sesa ta bëjnë atë nën shenjën e akuzave, siç bënë Trump dhe njerëzit e tij. Ata erdhën në marrëveshjen e Washingtonit dhe tani shohim se nuk ka asgjë nga kjo”, thotë Trapara.
Megjithatë, Trapara përfundon se një nga prioritetet e administratës së Biden sigurisht që do të jetë përmirësimi i bashkëpunimit me Bashkimin Europian dhe se do t’ia lërë Europës të merret më konkretisht me ngjarjet në Ballkan.
“Riparimi i atij partneriteti transatlantik me BE-në dhe disa nga anëtarët e tij më të rëndësishëm do të jetë sigurisht një prioritet. Kjo u vu në pikëpyetje gjatë kohës së Trump dhe tani ata duan ta rinovojnë atë”,, përfundon Trapara