Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky subjekt politik do t’i përdorë të gjitha rrugët politike dhe demokratike për të dalë nga situata e krijuar në veri të Kosovës.
Në një konferencë për media, ai ka theksuar se situata e tensionuar në katër komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës, i kontribuon interesave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit dhe atyre të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
“Sa herë kemi qenë të sulmuar nga Serbia, kemi qenë të mbrojtur nga miqtë tanë amerikanë, evropianë, sepse kemi qenë të bashkërenduar, sepse kemi ndarë të njëjtat vlera, të njëjtin vizion”, ka thënë kryetari i LDK-së.
Situata në veri, Abdixhiku thotë se i konvenon Serbisë, Presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit dhe Rusisë.
“e drejta jonë pa aleatë, mbetet vetëm e drejtë e paimplementuar. Kosova, megjithatë, e ka mundësinë që edhe të shtrojë të drejtën e vetë, edhe të mbajë aleatët e vet”
Kryeministri Kurti e ka quajtur “naive” një deklaratë të Sekretarit amerikan, Antony Blinken. Sipas Abdixhikut, Kosovës nuk i duhet një politikë “që ofendon me gjuhë jodiplomatike Sekretarin amerikan”.
Abdixhiku ka thënë se nuk do lejohet që “theqafja e Kurtit të bëhet theqafje për Kosovën”.