Në këtë takim, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se eurodeputetët kanë shfaqur interesimin e tyre për përgatitjet e LDK’së dhe kanë uruar mbarëvajtjen e tyre, shkruan lajmi.net.
Abdixhiku thotë t’i ketë shprehur mirënjohje Cramon për prezencën e misionit vëzhgues për monitorim të zgjedhjeve.
“Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, bashkë me anëtarë të Kryesisë ka pritur në vizitë një delegacion eurodeputetësh nga Parlamenti Evropian të udhëhequr nga Raportuesja për Kosovën, znj. Viola von Cramon, të cilët do të jenë pjesë e Misionit Vëzhgues të BE- së për zgjedhjet lokale. Eurodeputetët shfaqën interesimin e tyre për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet dhe uruan për mbarëvajtjen e tyre. Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen për prezencën e misionit vëzhgues në monitorim të zgjedhjeve duke theksuar nevojën për një proces fer e demokratik.”, thuhet në njoftimin e LDK’së.
Më tutje, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se ka biseduar me Cramon për procesin zgjedhor, pjekurinë politike e demokratike të Kosovës si dhe organizimin e fushatës.
Gjithashtu ai ka falënderuar Misioni Vëzhgues të Bashkimit Evropian për punën e tyre në mbështje të demokracisë.
“Prita sot në takim delegacionin e Parlamentit Evropian në kuadër të Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet e 17 tetorit, kryesuar nga eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon – Traubadel. Bashkëbiseduam me eurodeputetët për procesin zgjedhor, pjekurinë politike e demokratike të Kosovës në këto zgjedhje, e po ashtu edhe për sfidat e organizimit të fushatës në gjendje pandemike. Falënderova Misionin Vëzhgues të BE-së, për punën e tyre të vazhdueshme në monitorimin e zgjedhjeve dhe mbështetjen e tyre për demokraci sa më të konsoliduar në vendin tonë.”, tha Haradinaj.