Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka sqaruar se cfarë ka ndodhur mbrëmë mes tij dhe trajnerit të futbollit, Afrim Toverlani.
Nëpër medie ka qarkulluar lajmi se Toverlani ka shkuar në shtëpinë e Ahmetit që të sulmojë atë me thikë, por ky i fundit thotë se Toverlanin e ka mik dhe se nuk ka pasur kurrfarë ballafaqimi me të mbrëmë.
“Falemnderit të gjithëve për pyetjet e kujdesin. I pash edhe titujt ne portale. Nuk ka pas kurrfarë ballafaqimi fizik e as luftë më thika. Afrimin e njoh moti dhe e kam mik”, ka thënë ai në një status në Facebook.
Tutje ai ka treguar se Toverlani ka shkuar mbrëmë tek shtëpia e tij por nuk e ka gjetur aty.
“Ka qenë mbrëmë të shtepia kur nuk kam qenë unë dhe e ka thirr vetë policinë e cila me të arritur e ka arrestuar. Nuk ndihem as i kërcënuar e as i rrezikuar nga Afrimi edhe pse vizitat e vona në shtëpi kur nuk jam prezent dhe me fëmijë të mitur prezent nuk janë të mirëseardhura. Mirëpo, nuk ka pas as fjalosje e as ndonjë fjalë të rëndë me fëmijet dhe familjen”, thotë Ahmeti.
“Shpresoj që këtë incident Afrimi ta sqaroj e kaloj sa më lehtë me organet e rendit. Duke e pas mik qe një kohë të gjatë nuk besoj që ka pas qëllim të sulmit apo kërcënimit”, përfundon ai.