Me emërimin e një kirurgu kosovar që ka punuar në Amerikë, Kryeministri Kurti i ka rritur pritjet se shëndetësia, një sektor që i ka punët keq në Kosovë, mund të përmirësohet. Por, Rifat Latifi, edhe pse nuk është përballur me askënd, po përjeton kritika për mungesë menaxhimi të duhur, me dikasterin që i është ngarkuar.
Atij i është përmendur shpesh “look”-u dhe paraqitja por nuk kanë munguar as pyetjet se çfarë ka bërë MSH për funksionalizimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Sistemit të informimit Shëndetësor.
Nga Ministria e Shëndetësisë i kanë thënë Gazetës Express se ky sistem tashmë është shtrirë dhe po implementohet në nivelin e kujdesit parësor shëndetësor.
“Sa i përket Sistemit të Informimit Shëndetësor, ky sistem është shtrirë dhe duke u implementuar në nivelin e Kujdesit Parësor Shëndetësor dhe në disa segmente edhe në nivele të tjera, si Basic HIS, ndërsa pritet të bëhet një analizë e detajuar për kahjen e mëtejmë të zhvillimit të këtij sistemi, i cili përmes moduleve të tij, i ka dhënë një shtytje të mirë procesit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë duke gjeneruar të dhënat e nevojshme, përpunuar ato dhe lehtësuar vaksinimin”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Express.
E lidhur me sigurimet shëndetësore, nga MSh-ja deklarojnë se janë në proces të finalizimit të projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, që sipas tyre gjatë këtij viti pritet të dërgohet për miratim në Qeveri.
“Kurse, sa u përket sigurimeve, në proces është Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-249 për Sigurime Shëndetësore, i cili sipas agjendës legjislative 2022, sivjet duhet të shkojë në Qeverinë e Kosovës për miratim dhe procedim të mëtejmë pastaj në Kuvendin e Kosovës. MSh synon që Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, ta dërgoj në afatin e paraparë sivjet në Qeveri dhe pas miratimit të tij edhe në Kuvend të vazhdohet me përgatitjet për implementimin e skemës së sigurimeve shëndetësore publike”, thuhet më tutje në përgjigje.
Se miratimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore është çështje urgjente po e thotë edhe anëtari i Komisionit për Shëndetësisë në Kuvendin e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.
Në një deklaratë dhënë për Express, ai tha se ka kohë që kanë kërkuar nga Qeveria që ta trajtojë me urgjencë këtë çështje.
“Ne e kemi kërkuar me urgjencë sjelljen e këtij ligji nga ekzekutivi, por Qeveria ende nuk e ka sjellë këtë ligj”, ka thënë ai.
Më tutje, Dreshaj u deklarua edhe për punën e ministrit Latifi në krye të ministrisë. Sipas tij deri më tani, nga ai nuk është parë asgjë pozitive.
“Qeveria nuk e ka shëndetësinë prioritet. Shëndetësia duhet të menaxhohet në mënyrë aktive, me një strategji të qartë dhe ku të gjitha hapat duhet të merren në kohën e duhur. Pra veprimi i duhur në kohën e duhur. Kjo gjë nuk ka ndodhur në Ministri. Ministritë mund të qeverisen dhe menaxhohen në mënyra të ndryshme e jo vetëm në mënyrë fizike. Por ne nuk po shohim, asgjë pozitive nga z.Latifi”, deklaroi Dreshaj.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha dje se Qeveria ka premtuar themelimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore, por që tani nuk është as në agjendë.
“Ka premtuar themelim të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Sot nuk është në agjendë. Në vend të kësaj mund të flasim vetëm për keqmenaxhimin e pandemisë, për shkurtimin e buxhetit për shëndetësi në kohë pandemie, për kontrata të dyshimta dhe për mungesë strategjie e vizioni për shëndetësi”, ka thënë Krasniqi.
Për mosthemelimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore, kritika ka pasur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Sipas tij, gjendja në sektorin shëndetësorë vazhdon të jetë e rënduar.
“Gjendja në sektorin shëndetësor vazhdon të jetë e rënduar. Vetëm në vitin 2021, 159 mjek e kanë lëshuar Kosovën, ndërsa këtë vit vetëm për 1 muaj edhe 45 mjek të tjerë kanë ikur nga vendi. Ngecjet në plotësim-ndryshim të statutit të SHSKUK si dhe mosavancimi në procesin e plotësim-ndryshimit të ligjit për shëndetësi, po e thellojnë dështimin e kësaj qeverie të paaftë. Deri më tani, asnjë hap nuk është ndërmarrë në themelimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore; e spitalet e Kosovës vazhdojnë të mbesin me mungesë të theksuar të barnave nga lista esenciale”, tha ai.