Wednesday, November 27, 2024
HomeTop LajmetA ka pajtim mes Osmanit e Kurtit për zgjedhje të reja në...

A ka pajtim mes Osmanit e Kurtit për zgjedhje të reja në veri – këto janë procedurat për organizim

Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, duket se ka një pajtim ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, thonë njohësit e proceseve politike Agon Maliqi dhe Albert Krasniqi.

Mbajtja e zgjedhjeve po flitet si mundësi pas presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në këto komuna për pesë ditë me radhë kanë protestuar grupe të qytetarëve serbë duke kundërshtuar kryetarët shqiptarë atje. Këto protesta më 29 maj u shndërruan në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, ku mbetën të lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, por edhe protestues.

Për dalje nga kjo gjendje nga samiti i Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz kërkuan nga Kosova mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Kësaj kërkese i është bashkuar edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Presidentja Osmani ka konfirmuar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti gjatë një bisede telefonike me zëvendëskëshilltarin për siguri kombëtare të SHBA-së, Jon Finer, tha se duhet t’i jepet fund menjëherë dhunës së shkaktuar nga “turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë” deri në zgjedhjet e reja në ato komuna.

“Nuk dëshiroj ta paragjykoj këtë pjesë, a janë konsultuar apo jo. Por, deri sa nuk ka ndonjë mohim nga kryeministri, ajo çka nuk mund të përjashtohet është se presidentja mund të ndërmarrë edhe hapa të njëanshëm duke parë se situata po del nga kontrolli dhe duke qenë se edhe ajo e ka peshën e vet politike, të cilën ndoshta po e përdor duke u bërë presion të gjitha palëve, përfshirë edhe kryeministrin”, thotë pë Radion Evropa e Lirë njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Zyrën e presidentes dhe Zyrën e kryeministrit se a ka një dakordim ndërmjet tyre për zgjedhje të reja, por deri në publikimin e këtij teksti nuk janë përgjigjur.

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus (D+), konsideron se ka një pajtim mes dy përfaqësueseve të shtetit (presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti) që të shkohet në organizimin e zgjedhjeve të reja në komunat veriore, siç thotë ai, dhe të dërgohet si akt dorëheqja e kryetarëve të zgjedhur.

Sipas tij, nuk ka ndonjë skenar ose rrugë tjetër për të dalë nga veprimet e panevojshme në veri të Kosovës, përveç se të pranohet propozimi i aleatëve ndërkombëtarë.

“Veprimet në veri vetëm sa kanë rritur kërkesën e serbëve lokalë që të ketë një asociacion dhe për më tepër do t’i forcojë kompetencat dhe është rreziku që ato tashmë të shkojnë edhe në sektorin e sigurisë për shkak se kemi treguar se me këto veprime nuk po jemi në gjendje që t’i qeverisim serbët lokalë atje dhe ata duhet të kenë qeverisje autonome”, thekson Krasniqi.

Zgjedhjet dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Sipas Agon Maliqit, zgjedhjet në veri nuk kanë kuptim nëse nuk sjellin rezultate, të cilat do të ndihmonin në përmbylljen e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.

“Zgjedhjet e reja sjellin rezultat në rast se paralelisht ka proces dhe hapa përpara nga ana e Qeverisë së Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse në atë rast do të mund të kemi institucione që do mund ta zbatonin këtë marrëveshje”, vlerëson Maliqi.

Zgjedhjet në katër komuna në veri të vendit (Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) janë mbajtur më 23 prill. Kryetarët e këtyre komunave – të gjithë shqiptarë, kanë bërë betimin më 19 respektivisht 25 maj. Këto zgjedhje ishin bojkotuar nga komuniteti serb.

Situata atje u tensionua më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi këta kryetarë të hyjnë në zyrat komunale, me gjithë rezistencën e serbëve lokalë.

Nga zgjedhjet e fundit, kryetar në Mitrovicën e Veriut është zgjedhur Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Lulzim Hetemi në Leposaviq po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje, kurse nga Partia Demokratike e Kosovës, në Zubin Potok është zgjedhur Izmir Zeqiri, dhe në Zveçan Ilir Peci.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se as presidentja Vjosa Osmani dhe as kryeministri Albin Kurti “nuk kanë diskutuar për këtë temë” [për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës] me PDK-në.

Presidentja Osmani, nga Moldavia ka thënë se organizimin e zgjedhjeve e lejon rregullimi ligjor i Kosovës. Kjo, sipas saj, mund të bëhet përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e qytetarëve që janë në listën votuese, të cilët mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja.

Cilat janë procedurat për organizimin e zgjedhjeve të reja?

Përveç peticionit të përmendur nga presidentja Osmani, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tregon se mundësia tjetër është edhe dorëheqja e kryetarëve aktualë.

“Ekzistojnë dy zgjidhje ligjore për të pasur zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore. E para është që të arrihet ndonjë dakordim më i madh politik dhe kryetarët e rinj të japin dorëheqje. Ndërsa, mundësia e dytë arrihet nëse 20 për qind e votueseve me të drejtë vote nënshkruajnë një lloji peticion apo kërkese që i dërgohet kryetarit të Kuvendit përkatës komunal”, sqaron Cakolli.

Pastaj, tregon Cakolli, duhet të organizohet një proces votimi ku qytetarët e komunave përkatëse pyeten nëse janë për ose kundër shkarkimit apo largimit të kryetarit të komunës se tyre, pavarësisht se cila mund të jetë arsyeja. Ky është një mini-referendum që kërkon të paktën 50 për qind plus një e votuesve të votojnë për largimin e kryetarëve.

Përveç organizimit të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje dhe të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments