Friday, November 22, 2024
HomeLajmeKosovaA i keni ditur këto 8 karakteristika të Kaçanikut

A i keni ditur këto 8 karakteristika të Kaçanikut

I cilësuar dikur nga mediat ndërkombëtare si “kryeqyteti luftëtarëve Islamikë të Ballkanit”; qyteti juglindor i Kosovës, të cilin Xhabir Zharku tentoi ta bëjë vend tropikal, me mbjelljen e palmave. Kaçaniku ka edhe shumë karakteristika të tjera, që e bëjnë një qytezë të lezetshme. Lexoni disa prej tyre.

Kaçaniku si qendër administrative – qytezë daton që nga fundi i shekullit XVI, i cili deri në vitin 1891 ishte nahije e Sanxhakut të Shkupit, në Vilajetin e Kosovës. Themelues i parë i kësaj qyteze thuhet se është Koxha Sinan Pasha, i cili ndërtoi xhaminë e cila edhe sot ekziston, një kuzhinë publike (imaret) , një shkollë në afërsi të xhamisë, dy hane, një hamam, kalanë dhe disa mullinj në lumin Lepec.

Sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë, në vitin 1981, Komuna e Kaçanikut kishte 31,072 banorë ( bashkë me Komunën e Hanit Elezit, e cila në vitin 2007, fitoi Statusin e Komunës ), ndërsa sipas regjistrimit të fundit, të vitit 2011, Komuna e Kaçanikut ka 33,409 banorë, prej tyre 10,393 popullsi urbane dhe 23,016 rurale.

Kalaja e Kaçanikut

Në qendrën e qytetit të Kaçanikut, në bregun perëndimor të lumit Lepenc, gjendet kalaja e cila daton nga shek. XVI. Sipas dokumenteve të shkruara, kalaja e Kaçanikut është ndërtuar me urdhrin e bërë më 1582 nga Sulltan Murati II, nga ana e Koxha sinan Pashës. Kështjella filloi të ndërtohej më 1586 dhe përfundon më 1590.

Sot nga kalaja e Kaçanikut kanë mbetur vetëm dy mure, njëri në perëndim dhe tjetri në veri, së bashku me portën hyrëse dhe kullën cilindrike që ndodhet në anën e djathtë të portës. Muri jugor që përshkonte rrjedhën e lumit Lepenc dhe muri lindur janë rrënuar gjatës kohës. Nga 40-50 shtëpitë për ushtarë që kanë ekzistuar dikur në oborrin e kalasë, sot nuk gjendet asnjë.

Kalaja e Kaçanikut
Kalaja e Kaçanikut

Mbjellja e palmave

Kaçaniku dallohet me kushte të volitshme topografike dhe klimatike. Përmes grykës së Kaçanikut depërton klima mesdhetare; nga lindja dhe perëndimi depërton klima tipike malore, ndërsa nga ana veriore ndihet ndikimi i klimës kontinentale. Dhe është Komuna e parë në Republikën e Kosovës e cila ka mbjellë – Palma.

Fotografi gjatë mbjelljes së Palmave në Kaçanik

Lumi Lepenc dhe Nerodime

Nëpër Kaçanik kalojnë dy lumenj, lumi Lepenc dhe Nerodime, që me bashkimin e tyre në të dal nga qyteti, kalojnë tok grykën piktoreske të Kaçanikut me tërësi të veçanta mezoreliefë të Kosovës, nga buzët e të cilëve ngrihen malet e rrëpishme që u përkasin masiveve të Sharrit dhe Rodopet.

Lumi Lepenc, Kaçanik
Lumi Lepenc, Kaçanik
Lumi Nerodime, Kaçanik
Lumi Nerodime, Kaçanik

Kaçaniku ka resurse të mjaftueshme për zhvillimin e turizmit sidomos dimëror-sportiv, turizmit transit, malor dhe veror. Këtë e mundësojnë shpatet e Sharrit, Luboteni piktoresk, dy lumenjtë, monumentet e shumta kulturo-historike etj. Fakti se komuna e Kaçanikut frekuentohet nga dy pika kufitare, në Han të Elezit dhe Glloboçicë, përmes grykës së Kaçanikut dhe shpateve të Sharrit, është argument në funksion të konstatimit se turizmi ka parakushte të shkëlqyera , duke i shtuar edhe numrin e konsiderueshëm të objekteve hoteliere dhe restoranteve përgjatë rrugëve dhe në vet zonat e pikave kufitare me IRJ të Maqedonisë.

Xhamia “Koxha Sinan Pasha”

Ndër monumentet e vjetra kulturore që ka mbetur edhe sot është xhamia e Kaçanikut e ndërtuar nga veziri i madh Koxha Sinan Pasha në vitin 1594.

Xhamia “Koxha Sinan Pasha” në Kaçanik
Pamje nga Xhamia “Koxha Sinan Pasha” në Kaçanik në namazin e xhumasë.

Gryka e Kaçanikut

Gryka e Kaçanikut është simbol i qytetit, pasi në këtë grykë janë zhvilluar disa beteja, ndër betejat më e lavdishme e zhvilluar te Gryka e Kaçanikut është ajo e vitit 1910, ndërmjet kryengritësve shqiptarë të udhëhequr nga Idriz Seferi, dhe ushtrisë turke që i printe Shefqet Dergut Pasha. Gjithashtu është njoftuar se në Grykën e Kaçanikut, do të bëhet skulptura e Idriz Seferit.

Ja si do të do të duket Gryka e Kaçanikut pas realizimit të skulpturës së Idriz Seferit

Bastion i një partie politike

Komuna e Kaçanikut njihet edhe si bastion i Partisë Demokratike të Kosovës, pasi që 20 vite udhëheq në këtë Komunë.

Tubim elektoral para zgjedhjeve në Kaçanik

I cilësuar si “kryeqyteti luftëtarëve Islamikë të Ballkanit”

Kaçaniku ndërkombëtarisht nuk është njohur pozitivisht. Mediat ndërkombëtare vite më parë e kanë cilësuar Kaçanikun si kryeqyteti luftëtarëve Islamikë të Ballkanit, pasi nga kjo komunë shumë qytetarë kanë shkuar për të luftuar për në Irak e Siri. Lavdrim Muhaxheri ishte pjesë e organizatës ‘Al-Nusra’ dhe në vitin 2013, ai u bë udhëheqës i Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit.

“The Telegraph” – Kaçaniku kryeqyteti xhihadist i Kosovës
Kaçaniku – Kryqyteti i xhihadistëve të Ballkanit

Theksi i fjalës

Banorët e Kaçanikut gjithashtu dallohen edhe për zhargonin, pasi që shumë fjalë i theksojnë ndryshe prej banorëve të komunave tjera. Sidomos, kjo dallohet te shkronja “e” dhe mënyra se si bëhet theksimi i kësaj shkronje që më shumë ngjanë me të folurën që bëhet në Shkup e në disa vende tjera të Maqedonisë së Veriut.

Ndarja e qytetarëve dhe katundarëve

Në Komunën e Kaçanikut, ndarja e atyre që jetojnë në qytet dhe në zona rurale është mjaftë i theksuar, pasi shpeshherë ndodhë që edhe fëmijët në shkolla të kenë konflikte rreth kësaj gjëje.

Kaçaniku përfshin pjesën juglindore të Kosovës me sipërfaqe prej 211,13 km², përkatësisht 1,94 % të sipërfaqes së përgjithshme të Kosovës ( 10,887 km² ). Komuna e Kaçanikut përbëhet prej 31 vendbanimeve, një me karakter urban dhe 30 rurale, ndërsa kufizohet me komunat e Vitisë, Ferizajt, Shtërpcës dhe në jug me Hani Elezit dhe IRJ të Maqedonisë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments