
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump në një përpjekje për të mposhtur avantazhin ekonomik të Kinës mori vendim që SHBA-të, të rrisin prodhimin e energjisë elektrike me bazë thëngjillin. Trump ka akuzuar siç tha ekstremistët mjedisor se kanë lejuar vendet e tjera, në veçanti Kina, të fitojnë avantazhe ekonomike.
“Pas vitesh të të qënit robër nga ekstremistët mjedisorë, të çmendurit, radikalët dhe banditët, duke lejuar vende të tjera, veçanërisht Kinën, të fitojnë avantazhe të jashtëzakonshme ekonomike ndaj nesh duke hapur qindra termocentrale të gjitha me zjarr të qymyrit, unë po autorizoj administratën time që të fillojë menjëherë prodhimin e Energjisë me QYMYR TË BUKUR, TË PASTËR”
Vendimi i Trump mund të ketë ndikime edhe në Kosovë. Ajo vlerësohet të jetë e 5-ta në botë me rezerva të thëngjillit, që mundëson prodhimin e energjisë elektrike. Por Kosova nuk arriti të sigurojë energji elektrike të mjaftueshme as për nevoja të veta, pavarësisht pasurisë nëntokësore.
Ish-ministri i tregtisë dhe industrisë Ismet Mulaj, fajëson të gjitha qeveritë që nga koha e pasluftës për mos prioritizim të kësaj pasurie me vlerë që ka Kosova.
“Është e padrejtë të mos na lejohet të përdorim thëngjillin kur një sipërfaqe e vogël si Kosova nuk mund ta ndotë ajrin në krahasim me Gjermaninë, SHBA-të, Kinën. Kosova mund të ndërtoj termocentrale të vogla deri në 100 megavat për përdorim të brendshëm. Ne flem mbi qymyr dhe importojmë 5 milionë euro në vit qymyr edhe prej Kazakistanit. Është e pakuptimt edhe për grill për skara importojmë qymyrin”, deklaron Mulaj
Në vitin 2017 Kosova nënshkroi marrëveshjen me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re”, me një kapacitet prej 500 megavat, në një vlerë prej 1.3 miliardë euro. Por me ndryshimin e qeverisë, ajo hoqi dorë nga projekti në vitin 2020, meqë Qeveria Kurti 1 e kundërshtoi projektin. Por për shkak të mos zbatimit të kontratës Kosova humbi 20 milionë euro në Gjykatën e Arbitrazhit.
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Lekë Musa, thotë se për futjen e thëngjillit në funksion Kosova duhet të ketë një marrëveshje mbi partiake.
“ Për këto strategji nevojitet një marrëveshje e gjithëmbarshme politike sepse bëhet fjalë për të ardhmen e vendit. Dhe nuk mundet vetëm një qeveri apo një parti të marr këtë vendim”, thekson ai.
Në vitin 2020 vendet e Ballkanit përfshirë Kosovën nënshkruan Deklaratën për Agjendën e Gjelbër përmes së cilës u zotuan se deri në vitin 2050 do t’i japin fund prodhimit të energjisë nga thëngjillit. Bashkimi Evropian së bashku me bankën botërore kanë ndaluar financimin e projekteve energjetike që kanë për bazë thëngjillin si shkas i ndotjes së ajrit. Kosova aktualisht mundësi të vetme për përdorim të thëngjillit ka investitorët potencial nga SHBA-ja të cilët siç thuhet vështirë se do të vijnë për shkak se ajo nuk u tregua serioze në marrëveshje.
“ Kosova nuk është treguar serioze në këtë aspekt andaj kompanitë e huaja ngurrojnë të vijnë edhe pse si mundësi e vetme mbesin investimet e SHBA-ve”, tha Musa
Kosova, ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat energji elektrike, ndërsa gjatë dimrit nevojat arrijnë deri në 1.300 megavat. Ajo ka shtuar në periudha ë ndryshme kohore edhe importet e energjisë nga jashtë vendit. Ndërsa vlerësohet se vetëm për një vit Kosova shpenzon mbi 500 milion euro në blerjen e energjisë elektrike. /RTV21