Kandidatët për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama i LDK-së dhe Arben Vitia i VV-së, po zhvillojnë edhe sonte një debat pak para zgjedhjeve të balotazhit, ku përfundimisht vendoset kryetari i ri i kryeqytetit për katër vitet e ardhshme.
Gjatë debatit, Përparim Rama e pyeti Arben Vitinë lidhur me “qendrën e inovacionit” se a është ide e këtij të fundit apo e kandidatit të PDK-së për Prishtinë, Uran Ismailin.
Kjo për shkak se e njëjta ide ishte dhënë edhe nga Uran Ismaili, ndërsa Vitia tha se me qejf do t’i inkorporonta këto projekte të cilat janë të realizueshme dhe të mira.
“Një qendër e inovacionit si inkubator biznesi… e cila do të shërbejë për të gjithë të rinjtë që kanë talent të jashtëzakonshëm në shkencat kompjuterike… “, ishte duke thënë Vitia.
Derisa Rama e pyeti se a është kjo ide e Uran Ismailit të PDK-së.
“A është kjo ide e juaja apo e Uran Ismailit, sepse ai e ka pasur të njëjtin send, inkubatorin…”, pyeti Rama.
“A është e tij apo e juaja?”, vazhdoi Rama në RTV Dukagjin.
Pas insistimit të Ramës, Vitia tha se projektet e mira (si ky i Imsailit) do t’i inkorporoj nëse janë ligjore, të realizueshme dhe të mira.
“Atë që e kemi thënë edhe më herët, secili program që ka projekte të mira, të realizueshme, ligjore dhe mund të arrihen e jo fontanë dëshirash, me shumë dëshirë do t’i inkorporoj në programin tim dhe në interes të qytetarit…”, u përgjigj Vitia.