Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, (SBAShK), Rrahman Jasharaj dje ka thënë për mediat se nëse nuk procedohen pagat deri me 5 tetor, mund të kthehen sërish në grevë.
Jasharaj tha se vendimin e Qeverisë për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë e cilësojnë si dëshirë të kësaj të fundit për vazhdimin e grevave dhe konflikteve.
Nga Qeveria gjatë ditës së djeshme kanë përsëritur sërish se nuk do të ketë kompensim në paga për grevistët.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një postim të gjatë ka akuzuar komunat duke thënë se nuk e kanë përmbushur obligimin e tyre që të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministrinë e Financave.
Ajo ka thënë se i kanë dorëzuar ato të dhëna që i kanë pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta.
Nagavci ka bërë të ditur se tashmë ministria që ajo drejton ka ka marrë vendim për kompensimin e orëve mësimore të humbura gjatë grevës së SBASHK-ut.
Në kuadër të këtij vendimi, MASHTI i ka bërë edhe një propozim Ministrisë së Financave lidhur me çështjen e pagave për mësimdhënësit.
Sipas propozimit të saj, se në rast se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e vitit shkollor 2022-2023, Ministria e Financave do të shqyrtojë mundësinë e pagesës në avans.
Por nga SBASHK gjatë ditës së djeshme kanë thënë për Reporteri.net. se janë kundër kompensimit të orëve të humbura.
Ata kanë thënë se ky vendim është kundër kontratës kolektive.
Bardh Bardhi, anëtar i Kryesisë së SBAShK-ut, në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net tha se i qëndrojnë vendimit për mos zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës.