Ushtruesja e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, sot do të mbajë takim virtual me Asociacionin e Komunave të Kosovës. Këta të fundit, kërkojnë që masat anti-Covid të lehtësohen, pas rënies së numrit të rasteve pozitive me koronavirus.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar për Express se komunat po kërkojnë që të largohet kufizimi i lirisë së lëvizjes.
Ibrahimi thotë se nuk ka logjikë që ora policore të jetë në fuqi nga ora 22:00, derisa lokalet e gastronomisë punojnë deri në orën 21:30.
“Sot në ortën 14:00 kemi takim me Ministrinë e Shëndetësisë, për shqyrtimin e masave anti-Covid. Nuk ka kurrfarë logjike që gastronomia të punojë deri në orën 21:30 e ora policore të jetë nga ora 22:00, sepse qytetarët nuk kanë ku të shkojnë nëse lokalet janë të mbyllura”, ka deklaruar Ibrahimi.
Po ashtu, Ibrahimi thotë se komunat po kërkojnë që të hiqet obligimi i mbajtjes së maskës kur një person është i vetëm në ambient të jashtëm, e po ashtu për personat e imunizuar.
“Është e palogjikshme që maska të mbahet në ambient të jashtëm, kur një person është i vetëm në rrugë. Po ashtu kjo vlen edhe për të imunizuarit”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai tha se AKK kërkon që të vazhdojë fushata për vaksinim të qytetarëve.
“Kërkesa jonë dhe fushata për imunizim të vazhdojnë. Ne e mirëpresim reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ekipet mobile të vaksinimit në terren”, ka deklaruar Ibrahimi.
Edhe Shoqata e Gastronomëve të Kosovës po kërkon lehtësim të masave anti-Covid.
Kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi, ka deklaruar për Express se të enjten ka pasur një takim me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, nga të cilët ka kërkuar që të zgjatet orari i punës së lokaleve të gastronomisë.
“Dje kemi pasur takim me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, kemi kërkuar që të zgjatet orari i punës, të funksionojë sipas rregulloreve komunale, deri në orën 00:00. Po ashtu kemi kërkuar që të punojmë me kapacitet të plotë në hapësirat brenda lokaleve, ndërkaq brenda do të lejohen vetëm personat e vaksinuar”, ka deklaruar Kllokoqi.
Ndërkaq nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar për Express se masat anti-Covid do të shqyrtohen gjatë javës së ardhshme.
“Rishqyrtimi i masave pritet të behet javën që vjen”, kanë deklaruar të mërkurën nga MSh.
Nuk e dimë ende cilat janë masat që do të hiqen apo cilat mund të vendosen, sepse kjo varet nga analiza e dy javëve të fundit e IKSHP-së, që MSh-së i dorëzohet nesër dhe nga rekomandimet që dalin prej saj, bazuar edhe në projeksionet se si mund të zhvillohet situata rreth covid-19 në ditët apo javët që vijnë”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Express, dërguar të mërkurën.
Në pyetjen se a do të largohet masa e cila obligon qytetarët të vendosin maskën edhe kur janë duke ecur të vetëm në rrugë, nga MSh-ja kanë deklaruar se edhe kjo varet pas marrjes së analizës nga IKSHPK-ja.
“Do të trajtohet secila masë në fuqi nëse duhet të mbahet më tej apo jo, por duhet pritur propozimet që do të dalin pas marrjes së analizës së fundit të situatës për një periudhë më të gjatë kohore”, kanë deklaruar nga MSh.