Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier nuk i është përgjigjur qartësisht me pohim apo mohim pyetjes nëse do të ketë ndikim në procesin e blerjes së sistemeve raketore amerikane Javelin mosdëgjueshnëria e Kosovës ndaj SHBA-së për çështjen e zbatimit të rregullores së BQK-së me anë të së cilës synohet edhe largimi i përdorimit të dinarit serb në vend.
Hovenier tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por përsëriti atë që tha të hënën: që përgjigjja e Qeverisë së Kosovës ndaj kërkesës për shtyrjen e zbatimit të rregullores së re të BQK-së do të tregojë se sa i fuqishëm është partneriteti dypalësh, nga e cila tha se preken “ato çështje”.
“Unë nuk… Unë dua të përcaktoj se cili është pozicioni ynë politik: së bashku me mënyrat e tjera në të cilat kemi dashur ta mbështesim popullin e Kosovës ndërsa gjithnjë e më shumë lëviz drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike dhe ndërsa e konsolidon gjithnjë e më shumë shtetin e tij, ne e kemi mbështetur tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me një qëllim final sipas një plani dhjetëvjeçar për të pasur një forcë të NATO-s të ndërveprueshme, multietnike të mbrojtjes territoriale. Kjo është ajo që ne e mbështesim”, tha Hovenier.
“Ne ishim të gatshëm ta mbështesim këtë sepse besojmë se derisa Kosova po ndërton dhe mirëmban një forcë të NATO-s të ndërveprueshme dhe multietnike me këtë mision të mbrojtjes territorial kjo e forcon stabilitetin rajonal. Ne mendojmë për bashkëpunimin tonë të mbrojtjes, të trajnimit dhe pajisjes ne e shohim këtë përmes kësaj rubrike. Prandaj ne do të vazhdojmë të mbështesim këtë përpjekje në lidhje me FSK-në, por mund të them sërish, ato çështje preken nga sa i fuqishëm është partneriteti ynë. Pres nga Qeveria e Kosovës që të punojë me ne për të përmirësuar dhe forcuar partneritetin tonë”, shtoi ambasadori amerikan.
Hovenier kërkoi që Qeveria e Kosovës të jetë e përgjegjshme në lidhje me këtë çështje.
Kosova po pret procedurat formale për t’i blerë nga SHBA-ja 246 raketa Javelin. Departamenti amerikan i Shtetit e ka proceduar kërkesën e Kosovës për blerjen e këtyre sistemeve kundërajrore që prodhohen në SHBA, me një vlerë prej 75 milionë dollarësh.