Bodo Weber, eksperti gjerman dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për lajmi.net, ka folur për atë se si e sheh ai përspektivën e re gjermane si rezultat i kancelarisë së re drejt Ballkanit Perëndimor, si dhe fatin e dialogut Kosovë-Serbi përgjatë këtij viti.
Weber, në intervistën për lajmi.net, ka shtjelluar edhe rolin e ri që Gjermania mund ta ketë në përmirësimin e situatës në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, si dhe, siç e quan ai, rivendosjen e formatit origjinal të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo, sipas tij, duhet të bëhetnë koordinim të përhershëm me SHBA-të.
Eksperti gjerman ka diskutuar edhe lidhur me situatën politike të krijuar në Bosnje, sipas të cilit, mund të legjitimojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe të destabilizojë Ballkanin Perëndimor.
Njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor ia ka frikën edhe përsëritjes së skenave që ndodhën në veri përgjatë vitit të kaluar për t’u demonstruar fuqia politike dhe ushtarake e Kosovës dhe Serbisë. Kjo pasi që, sipas tij, Qeveria Kurti ka proklamuar në programin e tyre qeverisës sundimin e ligjit dhe, siç potencon ai, veriu është më shumë se kaq për kah skemat korruptuese.
Anëtari i Këshillit të Politikave për Demokratizim (DPC), është shprehur i zhgënjyer me Administratën Biden për kah qasja karshi dialogut Kosovë-Serbi, duke e arsyetuar një gjë të këtillë për shkak të kalimit të ngadaltë të pushtetit nga Administrata Trump.
Intervista:
Lajmi.net: “Të guxojmë të bëjmë më shumë progres” është slogani me të cilin filloi të qeverisë kancelaria e re gjermane. Madje ata guxuan të bëjnë premtime progresive për Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu edhe për Kosovën. A do të guxojnë qeveria e re gjermane mjaftueshëm që të bëjnë presion mbi pesë vendet që nuk e njohin Kosovën që të votojnë pro liberalizimit të vizave?
Bodo Weber: Po, koalicioni i ri qeverisës në marrëveshjen e tyre të koalicionit paralajmëron një angazhim të madh për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura, përfshirë edhe ato që janë bllokuar gjatë dy viteve të fundit, siç është liberalizimi i vizave ndaj Kosovës, i cili është vonuar shumë si proces. Kësisoj, pres që Berlini vitin e ardhshëm të avokojë fuqishëm që BE-ja përfundimisht t’i japë dritën jeshile Kosovës. Megjithatë, për liberalizimin e vizave, si në shumicën e çështjeve të tjera në lidhje me rolin progresiv, proaktiv të Bashkimit ndaj rajonit, akteri kryesor i bllokimit është Franca, veçanërisht Presidenti Macron. Duke pasur parasysh faktin se kemi zgjedhje presidenciale [në Gjermani] të planifikuara për në prill të vitit të ardhshëm, pres që presioni gjerman të shtyhet deri pas zgjedhjeve – dhe para përfundimit të presidencës franceze të BE-së në mesin e 2022. E gjitha kjo nën supozimin se Emanuel Macron do të fitojë zgjedhjet.
Lajmi.net: Cili mendoni se do të jetë roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë-Serbi dhe a do të ketë përfshirje më të drejtpërdrejtë? Duke qenë se ambasadori i ri i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka thënë se Gjermania duhet të ketë një të dërguar special për dialogun dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi?
Bodo Weber: Gjermania patjetër që duhet të marrë një rol udhëheqës në dialogun Kosovë-Serbi, një rol udhëheqës të ngjashëm me atë që kishte gjatë viteve 2012-14 nën kancelaren Merkel. Nuk mund të shprehem me siguri se akteri kryesor gjerman duhet të jetë sërish Kancelar, duke pasur parasysh se Scholz-it fillimisht do t’i duhej të përshtatej me rajonin, apo nëse Berlinit i duhet vërtet një i dërguar special. Duke pasur parasysh rolin kryesor në Ballkanin Perëndimor të të Gjelbërve në qeverinë e re, ndoshta ministri i Jashtëm Baerbock është më i përshtatshmi për të ndërmarrë iniciativën mbi dialogun.
Lajmi.net: A mund të theksoni dallimet në qasjen ndaj dialogut midis Administratës Trump dhe Administratës së Bidenit?
Bodo Weber: Sinqerisht, dhe e them me zhgënjim, nuk shoh ende diçka që mund të cilësohet si politikë administruese e Bidenit ndaj Ballkanit Perëndimor. Kjo mund të ketë ndodhur pjesërisht në vitin 2021 për shkak të shkëmbimit të ngadaltë të personelit në Departamentin e Shtetit dhe në terren e në ambasada, për shkak të bllokimit nga republikanët në Kongres. Ka ende shumë vazhdimësi të stafit me administratën Trump. Në Bosnje, veçanërisht, ne pamë një vazhdimësi absolute me politikën e Grenellit të përpjekjes për të negociuar marrëveshje të ndarjes etnoterritoriale. Kjo mund të ndryshojë në muajt e ardhshëm me rishikimet e ardhshme të politikave dhe ndërrimin e ambasadorëve.
Lajmi.net: Në një nga intervistat që keni pasur këtë vit keni deklaruar se Administrata Trump ka eliminuar mundësinë e shkëmbimit territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon me kokëfortësi ndaj Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këmbëngul që Kosova ta zbatojë atë, a mund të ndryshojë situata dhe të kthehet shkëmbimi territorial mes dy vendeve si opsion?
Bodo Weber: Ndryshe nga Bosnja, në rastin Kosovë-Serbi me largimin fillimisht të Federica Mogherinit më 2019-ën dhe më pas të Richard Grenell-it në 2020-ën, kthimi në negociatat BE-SHBA për një marrëveshje për shkëmbimin territorial është venitur. Por opsioni ende nuk është zëvendësuar me një rifillim i ri serioz i negociatave BE-SHBA, prandaj viti 2021 për dialogun ishte një vit ndërmetjësues dhe i çuar dëm. Kjo ishte kryesisht për shkak të fundit të epokës së Merkelit në Berlin dhe fillimit të ngadaltë, zhgënjyes të administratës së Bidenit. Bllokimi i vazhdueshëm dhe tensioni rreth çështjes së Asociacionit është vetëm një simptomë e këtij bllokimi të negociatave për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse.
Lajmi.net: Çka duhet të bëjë më shumë BE-ja në vitin 2022 që plagët e hapura të Ballkanit Perëndimor, në veçanti problemet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, të mbyllen me gjuhë diplomatike?
Bodo Weber: Berlini në vitin 2022 duhet t’i drejtohet administratës së Bidenit për rivendosje të plotë të negociatave Kosovë-Serbi, të udhëhequra nga niveli më i lartë – siç thashë, ndoshta nga dy ministrat e jashtëm Baerbock dhe Blinken, nëse jo nga vetë Scholz dhe Biden. Një rivendosje e bazuar në kthimin e kornizën origjinale të dialogut politik, të përcaktuar me parime të qarta: Serbia duhet t’i kthehet një politike të bazuar në realitet, duke e ditur se e ka humbur Kosovën. Ajo duhet të largojë gradualisht institucionet e saj nga territori i Kosovës dhe të tërhiqet nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë në çështjet e Kosovës në mënyrë që të lejojë serbët e Kosovës të përcaktojnë vetë fatin e tyre. Në këmbim, Kosova duhet t’i mbrojë serbët e Kosovës duke u ofruar të drejta të plota, formale por në aspektin e zbatueshmërisë të trajtohen si qytetarë të barabartë në Kosovë, duke përfshirë disa forma të të drejtave kolektive, diskriminimin pozitiv – në një mënyrë që nuk cenon funksionalitetin e Kosovës si shtet, dhe që mundëson evoluimin e një demokracie të fuqishme, po ashtu lokale, dhe të sundimit të ligjit në mbarë Kosovën. Por, për të arritur në këtë pikë, BE-ja duhet ta bëjë sërish të besueshme perspektivën e anëtarësimit në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor për të rivendosur ndikimin e saj ndaj Beogradit. Kjo nënkupton që Berlini të hyjë në diskutime serioze me presidentin Macron, i cili jo vetëm që po bllokon hapjen e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por edhe po shprehet sinqerisht kundër zgjerimit.
Lajmi.net: Gjatë këtij viti kemi parë veprime me të cilat krerët e Kosovës dhe Serbisë tentuan të demonstrojnë forcë ushtarake dhe diplomatike në veri të Kosovës. A e shihni mundësinë që të përsëriten sërish veprime të këtilla?
Bodo Weber: Kam frikë që po. Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani kanë bërë fushatë për çështjen e sundimit të ligjit në vend. Megjithatë, në veri, çështja e krimit të organizuar nuk është vetëm çështje e sundimit të ligjit, por prek qarqet politike. Kjo, sepse kemi një ndërlidhje të nëndheshme të Listes Serbe shtet-parti kriminale, e cila është gjithashtu në dëm kolateral që çon tek dështimi i dialogut politik. Pra, çështja e krimit të organizuar, ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës, nuk mund të zgjidhet vetëm nga Prishtina, por nga bashkësia ndërkombëtare, perëndimi dhe Beogradi. Do të thotë vetëm në kontekstin e një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse.
Lajmi.net: Si e vlerësoni vendimin për sanksionimin e grupeve të organizuara kriminale në Kosovë dhe a mendoni se SHBA do të zgjerojë sanksionet e tyre dhe do të synojë politikanë të profilit të lartë në Ballkanin Perëndimor?
Bodo Weber: Epo, grupet kriminale serbe të Kosovës, të sanksionuara së fundi, luajnë një rol po aq të madh në sistemin politik të Serbisë, siç bëjnë në komunat me shumicë serbe të Kosovës. Vendimi i sanksionmit erdhi si një surprizë pozitive. Megjithatë, unë ende nuk konsideroj që ky sanksion, masa kundër korrupsionit janë integruar në një strategji më të gjerë politike për Ballkanin Perëndimor. Për shembull, në Bosnje, përfaqësuesit e SHBA-së këtë vit në thelb kanë bashkëpunuar me liderë vendas etnonacionalistë, të korruptuar në negociatat për një marrëveshje për ndarjen etnoterritoriale, duke u parë si tallje totale me narrativën e SHBA-së për luftën kundër korrupsionit.
Lajmi.net: A ndikon gjendja aktuale e Bosnjë-Hercegovinës në vendet e rajonit, me theks të veçantë në Kosovë?
Bodo Weber: Kjo ndodh, njësoj siç bënë negociatat 2017-2020 për një marrëveshje të ndyrë shkëmbimi territorial Kosovë-Serbi: Fakti që përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së bashkëpunojnë me liderët nacionalistë dhe axhendat e tyre të paplotësuara nacionaliste, duke tradhtuar politikën perëndimore prej tre dekadash ndaj rajonit dhe rajonit. Parimet dhe vlerat liberale demokratike mbi të cilat është themeluar Perëndimi, minojnë besimin rajonal në Perëndim dhe luftën për demokraci dhe sundim të ligjit. Ajo që ka ndodhur në BeH [Bosnje dhe Hercegovinë] këtë vit e ka forcuar përfundimisht pozicionin e Prishtinës për çështjet si Asociacioni. Dhe një marrëveshje e ndyrë, etnoterritoriale e ndarjes me liderët nacionalistë Milorad Dodik dhe Dragan Çoviq, që përfundimisht do të çonte në shpërbërjen e shtetit dhe nuk mund të ishte paqësore, do t’i vinte flakën të gjithë rajonit ashtu siç do të bënte një marrëveshje për shkëmbimin e territoreve. E njëjta gjë do të ishte nëse Milorad Dodik në 6 muajt e ardhshëm do ta realizonte njoftimin e tij për një shkëputje de facto të Republikë Srpska (RS). Por unë jam paksa optimist se Perëndimi, me një qeverisje të re gjermane të energjizuar, do të arsyetojë dhe do të parandalojë një marrëveshje të ndyrë me nacionalistët e BeH-ut dhe shkëputjen e njëanshme të RS-së të udhëhequr nga Dodik.
Lajmi.net: Cili mendoni se do të jetë fati i Ballkanit Perëndimor?
Bodo Weber: Siç thashë, jam paksa optimist se në vitin 2022 do të shohim fundin e trajektores së rrezikshme të rënies së BiH dhe në fund të vitit një rigjallërim, debllokim të politikës integruese të BE-së ndaj rajonit dhe më pas fillimin e një rivendosje e vërtetë, gjithëpërfshirëse e negociatave Kosovë-Serbi për një marrëveshje përfundimtare. Dhe si pjesë e saj diçka që nuk e kam përmendur ende – një gjerman i ri shumë i nevojshëm, dhe bashkë me të krijimi i politikave të BE-së për Serbinë.
Bodo Weber është bashkëpunëtor i lartë i Këshillit të Politikave për Demokratizim, i përqendruar në Ballkanin Perëndimor, politikën e jashtme dhe në sigurinë gjermane dhe evropiane