Viti 2021 është identifikuar me shumë zhvillime politike në Kosovë, duke sjell edhe ndryshme, disa prej të cilave po konsiderohen pozitive e disa ndryshme jo të mira, por po konsiderohet se në disa çështje nuk ka asnjë ndryshim.
Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se në vitin që lamë pas në aspektin politik dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve nuk kishte ndryshim të madh.
Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” ka numëruar disa çështje në të cilat politika kosovare dështoi që të bëjë përmirësimin e gjendjes.
“Sa i përket dështimeve, nuk mendoj që ka zhvillim të madh sa i përket zhvillimit ekonomik, rritjes së numrit të të punësuarve, ndoshta edhe çështja e pandemisë, kriza energjetike- ndoshta edhe nuk është bërë sa duhet në aspektin e parandalimit që Kosova të mos ketë problem me krizën energjetike. Gjithashtu nuk është që është bërë ndonjë reformë e duhur në edukim edhe pse ka pasë nevojë, por edhe në shëndetësi gjithashtu. Këtu veç janë disa norma që janë përsëritë edhe në këtë qeveri, nuk është që ka ndonjë dallim prej qeverive të tjera’, ka thënë ai.
Ndërsa, sipas Gazmir Racit, ndër të tjera sfidë e politikës kosovare vazhdon të mbetet dialogu me Serbinë.
“Sfidat e mëdha që po na përcjellin pa dyshim se është ajo e dialogut të Brukselit, mos-liberalizimi i vizave dhe së fundi edhe kriza me energjinë elektrike”, tha ai për lajmi.net.
Sipas tij, sukses gjatë vitit 2021, ndër të tjera mund të konsiderohet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
“Lufta kundër krimit dhe korrupsionit në këtë vit ka shënuar progres të theksuar dhe se këto angazhime do të kenë ndikimin e tyre edhe në zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e perspektivës evropiane për Kosovën, kur dihet se korrupsioni e krimi i organizuar ishin të evidentuara edhe si sfida në Raportin e Progresit dhe së fundi edhe ne raportin e Këshillit të BE-së. E dyta ka te bëjë me sigurimin e vaksinave përmes marrëveshjes me pfizer, sepse ishim të fundit në rajon që arritëm të nënshkruajmë një marrëveshje të tillë dhe se tashmë raportohet së mbi 60% e popullsisë janë të vaksinuar me dozën e dytë , ka shtuar ai.
Raci sukses të politikës kosovare për vitin 2021 e konsideron edhe mbajtjen e dy palë zgjedhjeve.
E, sipas Demhasajt edhe gjatë vitit 2021 nuk është arritur të bëhet një ndryshim i madh që ka të bëjë me zgjedhjet.
Ai, ka thënë se reforma zgjedhore është përmendur si çështje e rëndësishme që duhet të realizohet patjetër, por që edhe një vit shkoi pa u realizuar.
“Mendoj që çështja e reformës zgjedhore është shumë problematike. Problemet i kemi pas për zgjedhjet e 14 shkurtit apo ato lokalet, që lidhen me problemet e njerëzve që munden me u kandidu e që kanë pasë aktgjykime të plotfuqishme dhe plotë çështje të tjera që lidhen me reformën zgjedhore. Para zgjedhjeve është përmend shumë reforma zgjedhore dhe pas zgjedhjeve asnjë iniciativë nga ana e kryeministrit Kurtit që me bë me procedurë të përshpejtuar këtë çështje dhe ka mbet aty ku ka mbetë. Çështja e reformës zgjedhore ka qenë që duhej të bëhej shpjet dhe nuk ka fillu”, ka shtuar ai.
Ndërsa, sukses të vitit që po e lëmë pas edhe Demhasaj e konsideron vaksinimin e qytetarëve kundër Covid-19.