Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ka përmbushur pjesërisht pritjet e tij. Prelec ka thënë se nuk pret marrëveshje të rëndësishme mes Kosovës dhe Serbisë më 2022, edhe për shkak se Kurti dëshiron të mos i japë proritet këtij procesi.
Prelec beson se Kosova do të ishte mirë që ta provonte se çfarë mund t’i ofrojë iniciativa rajonale, Ballkani i Hapur. Sa i përket sundimit të ligjit, ai thotë se Qeveria e Kurtit duhet të ketë kujdes që luftën kundër krimit të mos e bëjë mbi baza etnike.
Marko Prelec: Mendoj se sikur të gjitha shtetet tjera fqinje ka qenë duke u përballur me pasojat e pandemisë globale. Në fillim ndoshta ka qenë më keq sesa vendet e rajonit, për shkak të fushatës së ngadalshme të vaksinimit, mirëpo më pas ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm, duke u siguruar se vaksinat kanë arritur te njerëzit.
Radio Evropa e Lirë: Për herë të parë pas pavarësisë, Lëvizja Vetëvendosje ka formuar e vetme Qeverinë, pa asnjë parti shqiptare në koalicion. Megjithatë, pas tetë muajve, partia e njëjtë ka fituar katër prej 38 komunave në zgjedhjet lokale. Si e komentoni punën e Qeverisë në këtë periudhë?
Marko Prelec: Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë e zhgënjyer nga rezultatet në zgjedhjet lokale, ndonëse kjo nuk është diçka e pazakonshme për një parti që ka marrë pushtetin në një valë të zemërimit me udhëheqësinë e kaluar politike. Është sfidë që të organizohet një lëvizje e madhe me njerëz për të kundërshtuar të kaluarën dhe në të njëjtën kohë të identifikohen liderë lokalë karizmatikë për të krijuar në infrastrukturë politike që më pas të ketë sukses në zgjedhjet lokale. Nuk është e çuditshme që dolën keq. Mjaft keq.
Ata kanë shënuar disa suksese, por edhe dështime po ashtu. Dhe, kjo më duket se është zemëruese, sepse ka pasur shenja se vetë Albin Kurti dhe Lëvizja që ai drejton, nuk e admirojnë ideologjinë, por suksesin dhe aftësitë politike të disa liderëve tjerë në rajon që kanë pushtet të plotë. Shumica prej tyre janë populistë sikurse (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiq, apo lideri i Republikës Sërpska (Millorad) Dodik, apo edhe (kryeministri hungarez, Viktor) Orban në Hungari. Vetëvendosje nuk është as afër, nuk e ka atë shkallë të pushtetit. Dhe, mendoj se kjo është gjë e mirë për Kosovën.
Mendoj se, po ashtu, është mirë për Kosovën që është parti e re dhe nuk ka dalë nga periudha e luftës për pavarësi, por nga koha pas pavarësisë, ndonëse i ka rrënjët më të thella. Ajo, po ashtu, është hera e parë që mund të udhëheqë vetëm me partitë e minoriteteve. Kjo e qartëson skenën politike dhe njerëzit e dinë se kush është përgjegjës. Tani ka mundësi për llogaridhënie politike gjë që vështirë arrihet kur kemi disa parti të njëjta dhe të vogla që vazhdimisht janë nëpër koalicione. Ky është zhvillim i shëndetshëm për Kosovën. Mirëpo, ndërkohë po shfaqin kokën edhe vështirësitë.
Radio Evropa e Lirë: A është Albin Kurti kryeministri që ju pritët?
Marko Prelec: Pak a shumë, po.
Radio Evropa e Lirë: Në çfarë kuptimi?
Marko Prelec: Unë kam pritur që ai të jetë – siç edhe e konsideron veten deri diku – progresist apo lider nacionalist i krahut të majtë. Dhe, në këtë mënyrë ka qeverisur. Ai ndjek ideologjinë e nacionalizmit të krahut të majtë.
Radio Evropa e Lirë: A mund të jeni më i qartë, çfarë keni pritur nga Kurti?
Marko Prelec: Kam pritur nga ai të bëjë dy gjëra, të cilat i ka bërë në mënyrë të ndryshme. Kam pritur që ai të fokusohet në konsolidim të pushtetit brenda vendit, pra që të ketë kontroll mbi Qeverinë e Kosovës, ndonëse është sfiduese sepse ai vjen në një strukturë të dominuar plotësisht nga njerëzit që janë emëruar nga armiqtë e tij politikë. Sektori i shërbimeve civile është, po ashtu, i politizuar. E dimë se duhet të ishte i pavarur, por në realitet nuk është gjithmonë i pavarur. Kjo ndoshta mund të mos tingëllojë mirë, mirëpo duhet të ketë kontroll në mënyrë që të gjitha nivelet e pushtetit të mund të udhëhiqen në mënyrë efikase. Kam pritur që të punojë edhe në disa çështje të përditshmërisë së popullit të Kosovës. Vende të punës, edukim dhe gjëra tjera. Në këtë aspekt mendoj se nuk ka qenë shumë efikas dhe më pak vizionar sesa që kam shpresuar. Ka shumë gjëra që një shtet si Kosova mund të bëjë, sidomos sa i përket kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të sistemit shumë të dobët të edukimit. Kjo gjë do të mund ta shpërblente për disa hapa të guximshëm që nuk po i merr.
Fusha tjetër është e politikës së jashtme, në të cilën ai ka treguar mungesë të interesimit në marrëdhënien me Serbinë. Diçka që më ka bërë përshtypje në Qeverinë e tij të parë ka qenë ajo se ai kurrë nuk ka artikuluar një strategji për dialogun me Serbinë. Krejt çfarë ka thënë kanë qenë kritika për qeveritë e kaluara. Pra, të stilit që “ne nuk duam të bëjmë atë që po bëjnë ata”. Mirëpo, nuk është deklaruar kurrë më shumë dhe mendoj se kjo është për shkak se as ai nuk e di si dëshiron të duket dialogu. Ai dëshiron të mos i japë prioritet dialogut.
Radio Evropa e Lirë: A mund ta bëjë ai këtë gjë?
Marko Prelec: Po, natyrisht që mundet. Mendoj se ashtu do të veprojë.
Radio Evropa e Lirë: Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor është thënë se arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese me Serbinë është urgjente dhe shumë e rëndësishme në mënyrë që Kosova dhe Serbia të avancojnë në rrugët e tyre drejt Bashkimit Evropian. Megjithatë, procesi i dialogut është bllokuar në pjesën më të mirë të vitit 2021. A mendoni se do të ketë përparim më 2022?
Marko Prelec: Jam i sigurt se nuk do të ketë përparim të madh në dialog. Ata do të takohen, mirëpo nuk do të pajtohen për asgjë të rëndësishme. Mund të pajtohen për disa çështje siç është ajo e personave të pagjetur. Evropianët mund të flasin për urgjencën e arritjes së marrëveshjes, mirëpo nuk do të thotë se diçka që është urgjente, është edhe e mundshme.
“Asociacioni, i çuditshëm”
Radio Evropa e Lirë: Asociacioni i komunave me shumicë serbe duket se është, po ashtu, pengesë në këtë proces. Bashkimi Evropian insiston në krijimin e tij, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. A është i pashmangshëm krijimi i tij?
Marko Prelec: Jo, çështja e Asociacionit është shumë e çuditshme. Mendoj se ka shumë dilema dhe dezinformata rreth tij. Duhet t’i kemi parasysh dy gjëra shumë të rëndësishme. E para, Asociacioni nuk ka qenë diçka që dikush vërtet e ka dashur. As serbët, as kosovarët nuk e kanë dashur. Është diçka që është hartuar në Bruksel në stilin tipik të Bashkimit Evropian dhe si kompromis i paqartë që do t’ia mundësonte secilit shtet lëvizjen përpara. Kur them se serbët nuk e kanë dashur atë, e them sepse serbët kanë dashur të mbesin brenda sistemit serb, ata nuk kanë dashur të jenë pjesë e këtij sistemi të Asociacionit. Ata kanë dashur vazhdimin e institucioneve paralele, sikurse Beogradi.
Elementi i dytë i çuditshëm është se 90 për qind apo më shumë e përmbajtjes ekziston në kuadër të ligjit të Kosovës. Është thjesht një rishkrim i shumë artikujve që veçse ekzistojnë për vetëqeverisje lokale në Kosovë.
Një tjetër element i rëndësishëm është se Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë vendim se Asociacioni është jokushtetues. Ajo në fakt i ka kërkuar Qeverisë që të formojë Asociacionin. Sipas saj, disa dispozita ishin të paqarta, andaj mund të interpretohen kinse janë kundër-kushtetuese. Për arsye të ndryshme, Qeveria ka vendosur ta keqinterpretojë këtë gjë duke thënë se Asociacioni është jokushtetues. Është e rëndësishme që të zbatohet ajo për të cilën arrihet pajtueshmëri. Është çështje politike dhe nuk ka të bëjë vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo situatë është e përshtatshme edhe për Serbinë pasi ia jep mundësinë që të ankohet dhe ta paraqesë Kosovën si partnere të keqe.
“Kosova po humb nga mospjesëmarrja në Ballkanin e Hapur”
Radio Evropa e Lirë: Qeveria i ka vënë vijë të kuqe iniciativës rajonale Ballkani i Hapur. Bashkimi Evropian ka shfaqur mbështetjen e tij për këtë iniciativë. A po humb apo po fiton Kosova nga një pozicion i tillë?
Marko Prelec: Mendoj se po humb, sepse një fushë në të cilën do të mund të punonte Kosova është ajo e marrëdhënieve multilaterale. Marrëdhëniet bilaterale me Serbinë janë të bllokuara, mirëpo ekziston mundësia që të ndërveprojë me Serbinë si e barabartë në forumet rajonale. Do t’ia vlente që të provohej si përvojë. Serbia ka thënë se është e hapur në këtë iniciativë, ashtu sikurse dy vendet tjera, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Alternativë e kësaj iniciative është Procesi i Berlinit. Nuk e kuptoj pse shkojnë te njëra dhe jo te tjetra. Ndoshta sepse përmes Ballkanit të Hapur mund të bëhen disa gjëra shpejt dhe në mënyrë të pistë, qofshin ato edhe vetëm premtime. Procesi i Berlinit, në anën tjetër, duket se po merr shumë kohë dhe nuk po prodhon shumë rezultate.
Flamujt e tri vendeve të rajonit, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, nënshkruese të marrëveshjes për lëvizjen e lirë të punëtorëve.
Radio Evropa e Lirë: Kosovarët nuk i kanë shpëtuar regjimit të vizave më 2021. A mendoni se mund të ndryshojë diçka më 2022? Si mund të binden shtetet si Franca dhe Holanda për të hequr vizat?
Marko Prelec: E ndaj mendimin e njëjtë sikurse të shumë tjerëve se kjo është një ndër dështimet më të dëmshme të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare. Shtetet që kundërshtojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, duhet ta ndërrojnë pozicionin e tyre menjëherë. Një mik i imi thotë se Kosova duhet të punojë me parlamentet e Francës, të Holandës dhe secilit shtet që ka dilema. Thjesht, duhet t’i pyesin: Si mund t’ju bindim? Nuk e di nëse do të ndodhë liberalizimi, mirëpo duhet të ndodhë.
“Korrupsioni të mos luftohet mbi baza etnike”
Radio Evropa e Lirë: Në Raportin e Progresit, pjesa për Kosovën, është thënë se ky vend është në fazat e para të luftimit të krimit të organizuar dhe është deri diku i përgatitur në luftën kundër korrupsionit. Më 2021, Policia e Kosovës ka kryer disa bastisje në veri të Kosovës, me qëllim të luftimit të korrupsionit dhe kontrabandës. Së fundi, Departamenti amerikan i Shtetit i ka vënë disa serbë të Kosovës në listë të zezë. Zvonko Vesellinoviq është identifikuar si lider i një grupi të organizuar kriminal dhe si figura më famëkeqe e korrupsionit në Kosovë. A duhet që edhe Kosova të ndjekë kufizime të njëjta për këtë grup kriminal?
Marko Prelec: Është absolutisht e vërtetë se ka nivel të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar në mesin e komunitetit serb në Kosovë. Edhe në jug së fundi ndodhi arrestimi i ish-kryetarit të Shtërpcës dhe disa figurave tjera. Ky është problem real dhe është mirë që Kosova po e lufton atë. Mirëpo, rreziku është që kjo gjë të marrë ngjyrime etnike. Ekziston tundim i madh për të thënë se ne nuk e kemi nën kontroll këtë pjesë të shtetit dhe autoritetet në Prishtinë po sfidohen. Prandaj, edhe është e përshtatshme që të prezantohet si çerdhe e kriminelëve të organizuar.
Veriu i Kosovës ka qenë zonë me më pak sundim të ligjit në krahasim me pjesën tjetër të Kosovës, për shkak të statusit të parregullt, institucioneve serbe e tjera. Mirëpo, nuk ka pasur diçka të pazakonshme aty. Unë kur kam udhëtuar atje nuk jam ndier më i cenueshëm sesa në pjesën jugore. E gjithë Kosova ka problem me korrupsion dhe krim të organizuar. Prandaj, kjo nuk duhet të jetë çështje etnike. Çështja e sundimit të ligjit nuk duhet të jetë kundër serbëve. Duhet të jetë mbi baza të përgjithshme. Po ashtu, nuk duhet të jetë luftë kundër kriminelëve të organizuar, të cilët janë rivalë politikë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Mund të ketë tundim për të ndjekur individë të korruptuar, të cilët janë pasuruar nën regjimin e kaluar, ndërkohë që lejohen kolegë të partisë të bëjnë të njëjtën gjë pa u ndëshkuar. Nuk kam të dhëna se Qeveria po bën diçka të tillë dhe as nuk dua ta akuzoj. Mirëpo, secila qeveri e re që vjen në pushtet, platformën për sundim të ligjit mund ta shfrytëzojë për të goditur opozitën, qoftë ajo opozitë etnike apo politike.