Ndërrimin e motmoteve qytetarët e Kosovës e festuan kryesisht në gjirin familjar.
Ndërsa, në ditën e parë të vitit 2022 disa prej tyre kishin zgjedhur sheshet e kryeqytetit për t’i kaluar momentet e para të këtij viti. Dikush me familjar e dikush me shoqëri, por të gjithë shprehin dëshirën që viti 2022 të jetë më i mbarë në ekonomi e politikë, derisa shpresojnë që edhe lufta me pandeminë COVID-19 të marr fund.
Pranë mbesave e familjarëve të tjerë kalimin nga viti 2021 në atë 2022 e ka pritur mbrëmë edhe Bajram Begolli, i cili beson shumë që në këtë vit do të ikë pandemia COVID-19 dhe Kosova do shënojë rritje ekonomike.
“E mrekullueshme në gjirin familjarë, pak kitarë, pak çifteli edhe me mbesat duke lozur shumë i mirë ka qenë… Viti 2022 ka me pas ndryshime se besoj që edhe COVID-i do të ikë që ka qenë një e keqe për gjithë botën edhe e dyta ka filluar ekonomia e vendit të përparojë dhe të ecë. Sivjet kemi pasur ngritje dyshifrore në eskport që është një lajm shumë i mirë për ekonominë e vendit tonë sepse kur nuk ka ekonomi të mirë nuk ka as jetë të mirë”, theksoi ai.
Edmond Kristo nga Shqipëria kishte zgjedhur që ndërrimin e motmoteve ta festojë në Kosovë. Ai ka uruar që këtë vit të përfundojë beteja me pandeminë COVID-19.
Ndërsa, për Kosovën dhe Shqipërinë uroi të që jenë pranë njëra-tjetrës, pasi sipas tij, dy vendet janë më të forta së bashku.
“Të zhduket pandemia edhe suksese të dyja vendeve shqiptare dhe të Kosovës të jemi sa më parë njëri-tjetrit dhe sa më bashkë dhe kjo do të na bëjë më të fortë…Për mua është e rëndësishme bashkimi i zemrave dhe i gjuhës që kemi pastaj gradualisht do të vijë gjithçka”, theksoi Kristo.
E një qytetar i cili nuk dëshiroi ta bëjë të ditur emrin e tij shpreson që viti 2022 do të sjellë përmirësime në çdo aspekt, derisa thekson nevojën për përmirësim në aspektin politik dhe ekonomik.
“Në të gjitha aspektet e jetës besoj duke ia nisur nga politika se po më duket se është katastrofë, ekonomia jemi ende më zi, inshalla bëhet mirë, inshalla kemi shëndet”, tha ai.
E javëve të fundit kur Kosova po përballet me krizë energjetike, madje edhe me reduktime të rrymës, regjisori, Visar Bajgora uron që këto telashe mos t’i ketë në vitin 2022.
Por thekon nevojën edhe për përmirësime në drejtësi dhe arsim.