Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, beson se viti 2022 do të jetë më i lehtë sa i takon pandemisë COVID-19. Ai është deklaruar edhe rreth ankesave sa i përket mungesës së barnave esenciale.
Krasniqi beson që viti 2022 do të jetë më i përballueshëm, përkundër se vendi po përballet me rastet e para të variantit Omicron të COVID-19.
“Unë besoj që bota edhe Kosova do ta ketë një vit më të lehtë sa i përket pandemisë marr parasysh shumë faktorë, në radhë të parë tashmë njohuritë që i kemi për virusin, vaksinimin që e kemi në dorë si armë dhe me zbatimin e masave që tashmë janë të njohura sigurisht që bota pres që të kalojë një vit më të qetë”, u shpreh Krasniqi për KSP.
Ai thotë se gjatë këtij viti kanë arritur që pacientëve t’u sigurojnë shumicën e barnave nga lista esenciale. Sipas tij, mungesat e herëpashershme kanë ndodhur për shkak të çrregullimeve të shkaktuara në treg nga pandemia COVID-19.
“Shumica dërrmuese e barnave gjatë tërë periudhës vjetore pothuajse kanë qenë në dispozicion, sigurisht që ka mungesa të herëpashershme për disa barna, por ato që janë më esenciale dhe më vitale për pacientët kanë qenë në dispozicion gjatë gjithë vitit. Mungesat e herëpashershme që paraqiten për arsye nga më të ndryshmet, pjesa më e madhe, qoftë për shkak të pamundësisë së sjelljes së barnave nga operatorët ekonomikë, qoftë për shkak të mungesës së tyre në treg, ju e dini që gjatë vitit ka pasur mungesa të insulinave, ka pasur mungesë të fraksiparinave edhe në tregun privat, dhe kjo sigurisht është shkaktuar si pasojë e çrregullimeve që kanë ndodhur në botë për shkak të pandemisë COVID. Por në përgjithësi, ky vit karakterizohet me furnizim shumë më stabil, shumë më të qëndrueshëm dhe në masën shumë më të madhe sesa vitet paraprake”, theksoi ai.
Stabilitet në furnizim me barna nga lista esenciale, Krasniqi premton edhe gjatë vitit 2022 pasi që Qeveria e Kosovës ka ndarë 30 milionë euro. Ai thekson se buxheti për SHSKUK-në i paraparë për këtë vit është më i lartë sesa ai i vitit të kaluar.
“Edhe për vitin 2022 është paraparë një buxhet më i lartë sesa vitin paraprak dhe ajo çka është e mirëseardhur për neve është fakti se në listën esenciale të barnave planifikohet t’i kemi rreth 30 milionë euro, që është dukshëm më shumë sesa vitet paraprake. Megjithatë, përkundër kësaj rritjeje, nevojat e institucioneve shëndetësore janë shumë më të mëdha dhe ne presim që në rast nevoje dhe në rast se paraqiten kërkesa imediate atëherë ky buxhet të shtohet gjatë vitit të ardhshëm. Por, për momentin janë 30 milionë euro që neve na krijojnë një siguri dhe një stabilitet sa i përket furnizimit me barna nga lista esenciale”, u shpreh Krasniqi.
Në fund të vitit të kaluar u zgjodhën edhe drejtorët e shumë prej klinikave të QKUK-së, të cilët udhëhiqeshin prej vitesh me ushtrues detyre. Krasniqi tha se synon që gjatë këtij viti të emërojë edhe drejtorët e spitaleve rajonale dhe shefat e reparteve që janë me ushtrues detyre.
“Ne planifikojmë që të vazhdojmë me konkurse edhe për drejtorët e spitaleve të përgjithshme pasi edhe aty kemi nga 7 spitalet, 6 i kemi me ushtrues detyre dhe do të vazhdojmë shumë shpejt me shpalljen e konkursit dhe në të njëjtën kohë në klinikat e QKUK-së do të vazhdojmë me shpalljen e konkursit për ushtrues detyre të shefave të reparteve e kam fjalë që ka me vite të tëra që ushtrojnë këtë funksion dhe ne i kemi kushtuar rëndësi dhe e kemi pjesë të reformës në menaxhimin e institucioneve shëndetësore që secila pozitë menaxheriale të ketë të themi persona kompetent të zgjedhur dhe të aftë përmes konkursit në një garë konkurse dhe mos të vazhdojnë të mbesin me ushtrues detyre siç kanë qenë në të kaluarën”, përfundoi Krasniqi.