Viti 2021 ka rikonfirmuar Tyson Fury si kampion të peshave të rënda në WBC, ka parë rënien e dytë të Anthony Joshua, me gjasë edhe rënien përfundimtare të Deontay Wilder dhe po ashtu fillimin e ngritjes së Oleksandr Usyk.
Kategoria e peshave të rënda në botën e boksit në vitin 2021 u eklipsua nga dy ngjarje që erdhën në periudhën e vonshme të vitit.
Përballja e Tyson Fury me Deontay Wilder ( 9 tetor, 2021) dhe ajo e Anthony Joshua ndaj Oleksandr Usyk (25 shtator, 2021), sqaruan e ndryshuan shumëçka sa i përket mënyrës se si duket ranglista me boksierët më të mirë në botë në peshat e rënda.
Dueli mes Anthony Joshua dhe Oleksandr Usyk pa në kontest titujt e WBA, IBF, WBO dhe IBO, të cilët para meçit mbaheshin nga gjiganti britanik. Së paku në letër, Joshua vinte në këtë duel si favorit, pasur parasysh edhe përvojën e Usyk në peshat e rënda. Megjithatë, meçi shfaqi diçka krejt tjetër. Madje, fitorja bindëse e Usyk për shumë njohës të boksit vlerësohej si befasi e madhe. Ukrainasi dominoi meçin me AJ dhe tashmë mbanë titujt e WBA, IBF, WBO dhe IBO.
Kjo ishte padyshim rënia e dytë më e madhe për Anthony Joshua, pas momentit kur bota shokohej nga fitorja e boksierit meksikan, Andy Ruiz JR, i cili po ashtu i merrte titujt nga AJ, por ky fundit rikthehej më i fortë në revanshin. Të njëjtën gjë synon edhe ndaj Usyk.
Joshua – Usyk mori padyshim vëmendje të madhe, por adhuruesit e boksit ishin të fokusuar tek ajo që do të vinte vetëm pak ditë më vonë. Kompletimi i trilogjisë mes Tyson Fury dhe Deontay Wilder, të cilët në kontest kishin titullin e kampionit të WBC për peshat e rënda.
9 tetor, 2021, T-Mobile Arena në Nevada. Dy gjigantë të peshave të rënda vihen përballë njëri-tjetrit për herë të tretë brenda një periudhe të shkurtë. Fury vinte nga një barazim dhe një fitore ndaj Wilder, derisa ky i fundit futej në ring për hakmarrjen, shkruan lajmi.net.
Përgatitja e jashtëzakonshme e Fury në aspektin fizik, e sidomos në aspektin psikologjik bëri diferencën e madhe. Në një meç ku u panë nokdaune të shumta, gjithçka u vendos në raundin e 11. Fillimisht, Fury kapi Wilderin me një ‘kroshe’ të djathtë, në fund-raundin e tretë. Wilder ra, por mbijetoi në atë raund. Në raundin pasues, Wilder rrëzoi dy herë britanikun, por ky i fundit nuk e kishte në mendje humbjen. Mbijetoi dy herë. Fury u rikthye fuqishëm në raundet gjashtë, shtatëm tetë dhe nëntë, duke i dhënë disa goditje të forta amerikanit, shkruan lajmi.net. Një nokdaun tjetër në raundin e 10-të bëri diferencën e madhe. Wilder humbi fuqinë, dhe presioni që vazhdoi nga Fury edhe në raundin e 11-të u përcoll me nokautin final që detyroi gjyqtarin Russell Mora të ndalonte menjëherë ndeshjen. Kështu shënohen ngjarjet që rikonfirmojnë Tyson Furyn si kampion bote në WBC, shohin rënien e dytë të Joshua, rënien me gjasë përfundimtare të Wilder dhe fillimin e ngritjes së Usyk.
Ngjarjet pasuese pas këtyre dy meçeve ishin po ashtu me vëmendje shumë të madhe. Joshua ka aktivizuar të drejtën e tij për revansh, duke mohuar një duel të mundshëm mes Fury dhe Usyk për unifikimin e titujve.
Deontay Wilder në disa paraqitje të tij ka bërë të ditur se ka shqyrtuar edhe pensionimin nga boksi pas humbjes ndaj Fury. Ky i fundit, i vlerësuar si më i miri në boks aktualisht, është në pritje të WBC për të njohur kundërshtarin e radhës, që me gjasë të madhe do të ishte Dillian Whyte, nëse gjithçka është në rregull ligjërisht, shkruan lajmi.net.
Anthony Joshua dhe Oleksandr Usyk pritet të kenë duelin e dytë mes tyre në muajin prill. Fituesi i dyshes mund të çoj në ngjarjen që mund të shënjojë vitin 2022 në boks, duke i shkuar Tyson Fury në duel për unifikimin e titujve të peshave të rënda në boks.