Agjenti i Matthijs de Ligt, Mino Raiola dje bëri një deklaratë interesante duke thënë se ylli i Juventusit është gati për largimin dhe të provojë vetën me një sfidë tjetër.
De Ligt nuk është duke qenë titullar i padiskutueshëm te “Zonja e Vjetër”, derisa raportohet se dëshiron të luajë për një tjetër gjigant evropian.
Raiola potencoi emra si Real Madrid, Barcelona, PSG dhe klubet e Premierligës që mund të jenë destinacion i radhës, derisa tani për këtë deklaratë është përgjigjur edhe trajneri Massimiliano Allegri.
“Çfarë duhet të them? Ta përsëris pyetjen, apo të mos përgjigjem”, pyeti Allegri.
“Hapi i radhës për Matthijs është ndeshja e radhës. Ai duhet të shënoi gol. Nuk kam dëgjuar çfarë Raiola ka thënë”.
“Matthijs është duke u përmirësuar, ka luajtur mirë në Bologna, është 22 vjeç dhe ka kualitet të mirë, mund të përmirësohet si lojtarët e tjerë, nga Kulusevski te Chiesa dhe Rabiot”.
“Rritja është synimi ynë, pastaj shohim çfarë ndodh në merkato”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, raportohet se në kontratën e De Ligt, ekziston klauzola e lirimit me vlerë 150 milionë euro.