Kryetari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Bekë Berisha, pas raportimit të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, i quajti trillime dhe gënjeshtra të gjitha raportimet për qarje të raporteve me ShBA-të për mbështetjen me pajisje ushtarake.
Ai në një konferencë për medie, tha se ministri i ka sqaruar se nota diplomatike e ShBA-së vjen para çdo ndihme ushtarake, që mos t’iu lejohen palëve të treta të njëjtat.
Lidhur me ndërrimin e komandantit të FSK-së, Berisha tha se kjo është normale.
Ndryshe, sot në Komisionin për Siguri ka raportuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Raportimi i tij lidhej edhe me ngjarjet e fundit dhe raportimet në media për një notë diplomatike të SHBA për veturat ushtarake që ishin donacion amerikan, e për të cilat sipas raportimeve SHBA i kishte çuar vërejtje serioze ministrit Mehaj që të mos i përdorë për nevoja tjera.
Madje sipas raportimeve, ministri i Mbrojtjes planifikonte që këto vetura t’i ngjyroste dhe t’ua jepte për përdorim njësive speciale në veri.