Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se është pishman që e emëroi Agim Veliun ministër të Brendshëm në vitin 2020 kur kishin lidhur koalicion me VV-në. Ai thotë se komuna e Podujevës ende do i takonte LDK-së po të mos e bënte këtë veprim.
“Ndoshta nuk është dashtë që ta bëjmë atë. Nuk është dashtë. Sepse z. Veliu ka dhënë një kontribut të madh në Podujevë. I ka fituar zgjedhjet disa herë atje. Ka qenë nënkryetar i LDK-së. Është themelues i LDK-së. Tash ndaj z. Veliut për një periudhë të gjatë është zhvilluar një fushatë mjaft e egër ndaj tij siç është zhvilluar edhe ndaj meje, mirëpo unë konsideroj që po që se nuk do të tërhiqej z. Veliu nga atje, ne do ta kishim edhe sot Komunën e Podujevës të fituar”, është shprehur ai.
Ai flet edhe për shkarkimin e Veliut nga Albin Kurti, veprim që kishte prishur koalicion LDK-VV.
“Sa i përket koalicionit, unë e kisha informuar zotin Kurti edhe përpara me një letër që në qoftë se ne s’arrijmë pajtim të përbashkët për heqjes së tarifës që e vuro Qeveria e zotit Haradinaj dhe moszbatimi i reciprocitetit për një periudhë të caktuar kohore, do të kemi problem për vazhdim të koalicionit më tutje. Problemi ishte me Qeverinë amerikane dhe kërkesa që shtrohej edhe nga SHBA-ja dhe BE-ja për tarifat. S’është diskutuar fare për Veliun. Por menjëherë ai mori vendim për shkarkim. Veliu ishte vetëm shkas, por problemi ishte për mospajtimet tona të brendshme për qasjen ndaj SHBA-së sepse haptas kërkohej që qeveria të heqë tarifat e t’i japë shans dialogut. Shkas pastaj u bë zoti Veliu sepse ndodhi që kryeministri Kurti ta shkarkojë një ministër tonin. Pa marrë parasysh a ishte apo jo nënkryetar s’mund ta bënte shkarkimin në bazë të marrëveshjes që kishim sepse në të përcaktohej që s’mund të shkarkohej asnjë anëtar i qeverisë pa mirëkuptim të të dyja palëve”, ka deklaruar Mustafa në KTV.