Wednesday, November 27, 2024
HomeBotaFederata Evropiane e Gazetarëve i quan të turpshme sulmet e grupit “meKryeministrin”,...

Federata Evropiane e Gazetarëve i quan të turpshme sulmet e grupit “meKryeministrin”, i përkrahur nga deputetja e VV-së

Presidenti i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, i ka quajtur të turpshme sulmet e grupit #meKryeministrin ndaj gazetarëve, të cilat u përkrahën edhe nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

Gutierrez ka shprehur mbështetjen e tij ndaj gazetarëve duke komentuar në një reagim në Facebook ku Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar gjuha linçuese e grupit #meKryeministrin ndaj gazetarëve.

“Mbështetje e plotë nga Federata Evropiane e Gazetarëve për AGK-në! Sa turp të përpiqesh të diskreditosh gazetarët në një mënyrë të tillë! Ky është thjesht një sulm kundër lirisë së shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve të Kosovës për qasje në informata. E turpshme!”, ka komentuar Gutierrez.

AGK sot ka reaguar ndaj gjuhës linçuese ndaj gazetarëve nga grupi #meKryeministrin, në Facebook, grup ky i cili u përkrah edhe nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

“Ky grup, i cili është hapur dhe funksionon në shërbim të partisë në pushtet dhe kryeministrit, Albin Kurti, vazhdimisht ka sulmuar gazetarë të medieve të ndryshme të Kosovës. Edhe pas rihapjes, grupi ka sulmuar një pjesë të medias duke i quajtur ato të Klanit Pronto.  Përkrahja publike e deputetes së Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ndaj këtij grupi dhe kësaj gjuhe të përdorur, i vë seriozisht në rrezik gazetarët, andaj është e dënueshme dhe e prapranueshme për AGK-në”, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK ka ftuar Qeverinë e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje të distancohen nga gjuha linçuese dhe të ndalojnë përkrahjen, qoftë indirekte, për sulmet ndaj gazetarëve.

Ndryshe, grupi në Facebook, “Me Kryeministrin”, ku ishin mbledhur mbi 300 mijë mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, tani nuk gjendet më askund.

Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, që ishte njëri nga administratorët e këtij grupi, nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express rreth kësaj çështjeje.

Ai e mban ende në profilin e tij në Facebook linkun e grupit, i cili aktualisht nuk hapet.

Sipas Facebook-ut, ky grup nuk është i disponueshëm momentalisht pasi krijuesit mund ta kenë ndarë atë vetëm me një grup të vogël njerëzish ose është fshirë tërësisht.

Të hënën, një grup i ri, i quajtur po njësoj, “meKryeministrin”, u hap.

Grupin e ri e ka krijuar po Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së LVV-së dhe ka shtatë anëtarë.

Grupi i madh “Me Kryeministrin” u krijua si shenjë revolte pas rënies së Qeverisë Kurti 1.

Aty është bërë fushatë e veçantë kundër gazetarëve dhe kujtdo që e kundërshtonte kryeministrin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Kolegji i Komisionerëve evropianë e pati theksuar çështjen e linçimit të gazetarëve në Raportin e Progresit për këtë vit.

Në pjesën ku flitej për lirinë e mediave, në Raportin e Progresit, thuhej:

“Megjithatë mbetet shqetësim fushata kërcënuese dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve.”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments