Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaTetë familje nga Turqia me mbrojtje shtetërore në Kosovë

Tetë familje nga Turqia me mbrojtje shtetërore në Kosovë

Tetë familjeve me katërmbëdhjetë anëtarë të tyre, që kanë arritur nga Turqia në Kosovë, iu është njohur këtë vit e drejta e statusit të refugjatit.

Sipas disa të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, ata janë në mesin e mbi 130 personave nga Turqia, të cilëve iu është dhënë statusi i refugjatit që nga viti 2018.

Sipas avokatëve, të gjithë ata kanë qenë të lidhur me Lëvizjen “Hizmet” të klerikut turk, Fethullah Gulen, të cilën Ankaraja zyrtare e ka shpallur terroriste dhe e ka akuzuar për orkestrimin e një përpjekjeje për puç në Turqi, në vitin 2016.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me njërin nga personat që kanë fituar statusin e refugjatit në Kosovë dhe ai ka konfirmuar se është i ndjekur politikisht në shtetin e tij.

Ai nuk ka dashur të flasë më shumë për këtë çështje dhe nuk ka pranuar të identifikohet, duke thënë se në Kosovë “nuk ndihet i sigurt”.

Në mars të vitit 2018, Kosova ka arrestuar dhe dëbuar gjashtë shtetas turq, të cilët kanë punuar në shkollën private “Mehmet Akif”, në Prishtinë.

Ankaraja ka thënë se ata janë të dyshuar për lidhje me lëvizjen “Hizmet” të Gulenit, të cilës Turqia i referohet me akronimin FETO.

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Arrestimit dhe dëbimit i ka paraprirë revokimi i lejeve të tyre të qëndrimit në Kosovë.

Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Arrestimi dhe dëbimi i tyre janë lëndë e hetimeve edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje.

MPB: Aplikacione shtesë janë në shqyrtim

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shtetasit e huaj e fitojnë të drejtën e statusit të refugjatit në Kosovë në bazë të Ligjit për Azil, si dhe të konventave ndërkombëtare.

“Shumica prej tyre [shtetasve turq] janë të punësuar në institucione. Po ashtu, posedojnë biznese private”, thuhet në përgjigjen e MPB-së, pa u specifikuar se në cilat institucione janë duke punuar.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2020, Kosova ka pranuar 28 aplikacione për statusin e refugjatit nga shtetas turq, në vitin 2019 – 27 dhe në vitin 2018 – 76.

Sipas informacioneve të Radios Evropa e Lirë, disa prej këtyre personave janë deklaruar si përkrahës të lëvizjes së Fethullah Gulenit, i cili tash e sa vite jeton në mërgim në SHBA.

“Para policisë së migrimit, ata e kanë thënë se janë gylenistë”, ka thënë një zyrtar nga MPB-ja, duke iu referuar mbështetësve të lëvizjes “Hizmet”.

Republika e Kosovës u jep statusin e refugjatit shtetasve të huaj apo personit pa shtetësi, me kërkesën e tij, nëse i plotësojnë kriteret.

Nxënëset e kolegjit Mehmet Akif në Kosovë duke protestuar për dëbimin e mësuesve të tyre nga Kosova. Prishtinë, 29 mars 2018.

Sipas Ligjit për Azil, refugjat është personi, i cili për shkak të frikës së bazuar mirë se mund të jetë i persekutuar për arsye të racës, religjionit, kombësisë, bindjes politike apo përkatësisë së grupit të caktuar shoqëror, është jashtë vendit të shtetësisë dhe nuk ka mundësi, apo për shkak të frikës së tillë nuk ka dëshirë, që të përfitojë mbrojtjen e atij vendi.

Po sipas ligjit, refugjat mund të jetë personi pa shtetësi, i cili duke qenë jashtë vendit të banimit të mëparshëm të rregullt, për arsye të njëjta siç përmenden më lart, nuk ka mundësi, apo për shkak të frikës së tillë nuk ka dëshirë, që të kthehet në atë vend.

Ministria e Brendshme e Kosovës, bazuar në ligj, i lëshon përfituesit statusin e refugjatit dhe leje të qëndrimit, sapo t’i njihet statusi i tillë, i cili vlen së paku tre vjet, me mundësi vazhdimi.

Sipas ligjit, një status i tillë mund të ndryshojë, nëse arsyet imponuese të sigurisë shtetërore apo të rendit publik kërkojnë ndryshe.

Zyrtarë nga MPB-ja kanë thënë se kanë ende aplikacione që janë ne proces të shqyrtimit.

Avokati kosovar, Leotrim Syla, i cili ka ndihmuar dhe ndihmon në aspektin ligjor shtetasit nga Turqia, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se që nga viti 2018 e deri më tash, ka ndihmuar dhe këshilluar mbi 150 shtetas turq, në lidhje me procedurat e statusit të refugjatit.

“Është një emërues i përbashkët për këta persona. Emëruesi është se këta persona kanë qenë pjesëtarë, anëtarë… apo, në ndonjë mënyrë tjetër, kanë qenë të lidhur me lëvizjen e Gulenit, e cila në Turqi trajtohet si organizatë terroriste. Për rrjedhojë, edhe ata do të persekutoheshin si qindra mijëra pjesëtarë të tjerë [të kësaj lëvizjeje] në Turqi”, ka thënë Syla.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë kanë thënë se personat nga Turqia, të cilët kanë fituar statusin e refugjatit në Kosovë, duhet të ndihen të sigurt.

“Ata janë të sigurt. Ata mund të bëjnë gabim, vetëm nëse e keqpërdorin strehimin që u jep Kosova, e pastaj të lëvizin, qoftë në Mal të Zi, qoftë në Serbi apo Shqipëri dhe, gjatë rrugëtimit, mund t’i kapin dhe t’i ekstradojnë apo t’i dënojnë”, ka thënë drejtori i KMLDNJ-së, Behxhet Shala.

“Përndryshe, ata nuk kanë rrezik këtu. Shumica e tyre, ose punojnë diku, ose kanë anëtarë të familjes dhe kanë bërë bashkimin familjar”, ka shtuar ai.

Qytetarët nga Turqia, të cilët kanë fituar statusin e refugjatit në Kosovë, jetojnë në shtëpi private dhe, kohë pas kohe, monitorohen nga autoritetet e rendit.

Disa politikanë nga komuniteti turk në Kosovë, kryesisht nga Partia Demokratike e Turqve, u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që ta shpallin terroriste lëvizjen e Gulenit, por një gjë e tillë nuk është bërë.

Ankaraja e ka shpallur terroriste lëvizjen “Hizmet” në maj të vitit 2016, duke i akuzuar mbështetësit e saj për përpjekje për të rrëzuar Qeverinë turke.

Gulen ka qenë aleat i presidentit aktual të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deri në vitin 2013.

Në atë kohë, policë dhe prokurorë që janë parë si përkrahës të Gulenit, kanë hapur hetime për korrupsion në rrethin e ngushtë të Erdoganit.

Erdogan ka thënë se Gulen ka bërë komplot për ta rrëzuar Qeverinë e tij në vitin 2016, duke ndërtuar një rrjet mbështetësish në media, gjyqësor dhe arsim, që do të ngriheshin kundër tij. Gulen i ka hedhur poshtë këto akuza.

Që nga puçi i dështuar, autoritetet turke kanë arrestuar mijëra njerëz, nën dyshimet se kanë lidhje me Gulenin.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments