Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, tha se ai është i gatshëm që ta pezullojë qarkullimin e energjisë ruse, nëse Polonia e mbyll kufirin me vendin e tij.
Bjellorusia është përfshirë në një mosmarrëveshje me Bashkimin Evropian për emigrantët që ndodhen në kufirin e saj perëndimor. BE-ja e ka akuzuar Bjellorusinë se ka sjellë mijëra emigrantë me aeroplanë nga Lindja e Mesme dhe i ka shtyrë drejt Bashkimit Evropian përmes Polonisë, Lituanisë e Letonisë. Bjellorusia e ka mohuar këtë akuzë.
Të mërkurën, Ministri i Mbrojtjes i Polonisë tha se atasheu bjellorus i mbrojtjes është thirrur në raportim, pasi dritat e vendosura nga ushtarët polakë afër qytezës Terespol u dëmtuan nga të shtënat.
“Provokimet e shërbimeve bjelloruse janë absolutisht të papranueshme”, tha Mariusz Baszczak përmes një postimi në Twitter, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Bjellorusisë nuk ishte menjëherë i qasshëm për koment.
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, të martën i nënshkroi rregullat e reja që ia mundësojnë qeverisë kufizimin e qasjes në zonat përreth kufirit me Bjellorusinë. Ligji hyri në fuqi të mërkurën, duke e zëvendësuar gjendjen emergjente, afati i së cilës skadoi të martën në mesnatë.