Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, tha të martën se Gadishulli i Krimesë, territor i Ukrainës i aneksuar nga Rusia në vitin 2014, është ligjërisht territor rus, raportoi agjencia e lajmeve, “RIA”. Kjo deklaratë paraqet ndryshim të qëndrimit të aleatit të Moskës.
Bjellorusia është aleate e ngushtë e Rusisë, por nuk e ka njohur Krimenë si pjesë të territorit rus, pasi veprimi i Moskës kishte nxitur dënime e sanksione ekonomike nga Perëndimi. Shumica e botës e njeh Krimenë si pjesë të Ukrainës.
“Krimea është de fakto ruse. Pas referendumit, Krimea gjithashtu u bë ligjërisht ruse”, citohet të ketë thënë Lukashenko. Ai iu referua votimit të vitit 2014 të organizuar nga Rusia si pjesë e aneksimit. Referendumi ishte shpërfillur nga Ukraina e Perëndimi, shkruan Reuters.
Lukashenko tha se çfarëdo vizite nga ai në Krime do ta sinjalizonte njohjen e gadishullit si pjesë e Rusisë dhe se ai është duke pritur një ftesë nga Moska për vizitë atje.
Pavarësisht marrëdhënieve të ngushta me Kremlinin, Bjellorusia kishte marrë qëndrim publik neutral për aneksimin e Krimesë nga Rusia. Por Lukashenko, në pushtet nga viti 1994, i është afruar Rusisë gjithnjë e më shumë pas protestave masive vitin e kaluar kundër fitores së tij të kontestuar në zgjedhjet presidenciale.