Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaProjekti i Gazsjellësit Amerikan që u refuzua nga Kosova do ta pengonte...

Projekti i Gazsjellësit Amerikan që u refuzua nga Kosova do ta pengonte ndikimin rus në Ballkan

Qeveria e Kosovës ka refuzuar projektin e gazsjellësit amerikan, por në anën tjetër ende nuk ka plan konkret për investimin e 200 milionë eurove të fondit të MCC-së. Por, ajo çfarë është edhe më e rëndësishme mbetet dimensioni i sigurisë. Sipas ekspertëve, projekti i gazit do të kishte edhe impakt ekonomik, sidomos në pengimin e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

 

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi në një prononcim për lajmi.net ka thënë se përveç si një resurs energjetik për Kosovën, Projekti i Gazit ka qenë një ofertë e mirë për t’i ikur interferimit ose implikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ai ka shtuar se Rusia është e interesuar të implikohet në aspektin e sigurisë dhe çështja e energjisë është një eksponent që shfrytëzohet.

“Së pari e shohim si një resurs energjetik i mirë për Kosovën dhe është një ofertë e mirë për me i ikë interferimit apo implikimit të Rusisë dhe realisht ka impakt. Unë po i përcjell tani analistat e të gjitha vendeve, që e shohin shumë interesimin e Rusisë në implikimin në aspektin e sigurisë dhe e shohin ni eksponent çështjen e energjisë. Mirëpo, nëpërmjet energjisë ata e shohin shtrirjen gjeostratetike. Nga ky kënd të vështrohet, mendoj se ka qenë shans shumë i mirë i Kosovës të përmbyllet ky kapitull i furnizimit me energji përmes gazsjellësit që financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne me e zgjedhë problemin që është gati kryesor për momentin. Ka edhe relacione të tjera, por do të zgjidhej ky problem.”, tha Ibishi për lajmi.net.

Tutje, Ibishi ka thënë se Kosova ka sasi të thëngjillit, por kjo shkakton ndotje. Sipas tij, çështja e ndikimit dhe implikimit të Rusisë mbetet faktori kyç pse Kosova duhej të pranonte projektin amerikan të gazjellësit.

“Realisht ne kemi sasi të thëngjillit, por po ndikon shëndetin dhe po shkakton ndotje. Mundësia pra me e përmbyllë, mendoj se vazhdon të jetë një shans i refuzuar tashmë meqë s’ka kaluar as si mocion në Kuvendin e Kosovës dhe unë mendoj se kjo duhet të rishqyrtohet dhe qeveria e ka lënë një afat të pacaktuar të shqyrtohet. Mendoj se është një çështje e rëndësishme të përmbyllet implikimi i Rusisë si një furnitor strategjik që tenton të futet në këtë pjesë të Ballkanit dhe kjo ka implikime edhe të sigurisë nëse nuk zgjedhjet kjo variant dhe zgjedhet një variant tjetër.”, tha Ibishi.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se fondet e MCC-së do të adaptohen në investime që i kontribuojnë integrimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe zhvillimit të shkathtësive të të rinjve me fokus të veçantë tek gratë.

“Granti i MCC-së prej deri në 200 milionë dollarë, nuk është humbur, nuk ka pasur asnjë moment të vetëm që granti është rrezikuar. Granti do të përdoret për investime që i kontribuojnë integrimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe zhvillimit të shkathtësive të të rinjve me fokus të veçantë tek gratë. Marrëdhëniet me MCC-në, SHBA-të ose ndonjë institucion tjetër amerikan nuk janë rrezikuar ose dëmtuar në ndonjë moment, ato janë të shkëlqyeshme.”, tha ajo.

Ndërkohë, mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i qeverisë së Kosovës dhe ministrisë së Ekonomisë lidhur me fondet e MCC-së dhe shpërndarjen e tyre nëpër projekte të tjera, por ende nuk dihet se ku do të investohen ato.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments