Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), Salih Mustafa. Atje po dëgjohet dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) dhe pjesa më e madhe e seancës po vijon e mbyllur për publikun.
Ndërsa në seancë të hapur dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ka marrë pjesë në zhvarrimin e një trupi, derisa sipas tij, në të njëjtin varr ndodhej edhe një trup i një personi tjetër.
Pyetjet e para nga prokuroria janë zhvilluar në seancë private, meqë sipas prokurores Silvia D’Ascoli, pyetjet lidhën me hollësi identifikuese.
Ndërsa në pjesën e dytë të seancës, një pjesë e shkurtë është zhvilluar e hapur për publikun dhe dëshmitari ka thënë se personi, që sipas tij e kanë zhvarrosur, ka qenë me gjymtyrë të thyera.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Ti the se ti dhe të tjerët e zhvarrosët trupin, që trupi ishte i mbështjellur me një batanije. A mund të përshkruash se çfarë tjetër pat në trupin?
Dëshmitari: Kur e kemi çelë prej batanijes, qebes, e kemi vërejtur që i ka këmbët e thyera, duart e thyera tre plumba prapa shpinës.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A na thua dot se si e vutë re ju që i kishte duart dhe këmbët e thyera?
Dëshmitari: U dokshin, u dokshin të thyera në lëvizje, kur e kemi kap u dokshin këmbët dhe duart që i ka të thyera.
Dëshmitari: Edhe plumbat prapa shpinës i kemi pa birat që i ka pasur të plumbave… Trupin e kena zhvarrosë, e kena shti në arkivol.
Tutje, prokurorja e ka pyetur dëshmitarin për gjendjen në të cilën e kanë lënë varrin prej të cilit ai pretendon të kenë zhvarrosur një person, por përgjigja e tij ka vijuar me përmbajtje të redaktuar për publikun.
Dëshmitari ka thënë se në atë vend janë kthyer për herën e dytë dhe në të njëjtin varr ka qenë edhe një trup i një personi tjetër të cilin sipas tij nuk e kanë identifikuar sa i përket gjinisë.
Ai ka thënë se edhe personi tjetër ka qenë i mbuluar me një batanije.
Pas përfundimit të pyetjeve nga ana e prokurorisë, dëshmitari po përgjigjet në pyetjet e avokates së viktimave pjesë kjo që po zhvillohen në seancë private.
Dëshmitari po përgjigjet nën masa mbrojtëse të sigurisë, identiteti i të cilit nuk behët i ditur për publikun dhe i njëjti mban kodin Ë04391.
I akuzuari, Salih Mustafa po merr pjesë në seancës gjyqësore ndaj tij përmes video-lidhjes.
Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre shtatë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.