Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë një reagim si kundër replikë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, të cilët paralajmëruan ankesë për rezultatin e raundit të dytë në zgjedhjet lokale.
Çitaku, me anë të një postimi në llogarinë e saj zyrtare në ‘Facebook’, ka thënë se është “për keqardhje që Lëvizja Vetëvendosje po e refuzon vullnetin e qytetarëve”.
“Qytetarët e Prizrenit kanë folur, vota e tyre është numëruar, dhe rezultati si i tillë duhet pranuar. Për keqardhje që Lëvizja Vetëvendosje po e refuzon vullnetin e qytetarëve”, ka shkruar Çitaku.
Vetëvendosje në Prizren nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se shtabi atje është në përpilim të ankesave, duke supozuar se është dëmtuar vullneti qytetar.
“Sipas dëshmive ka pasur presione ndaj votuesve në hyrjet e vendvotimeve, tendencë për ndryshimin e vullnetit qytetar në javën e fushatës përmes shpërndarjes së parave dhe të mirave materiale, por edhe kërcënime ndaj komuniteteve në Prizren dhe në disa regjione të Prizrenit”, thuhet në reagimin e tyre.
KQZ ka publikuar rezultatet përfundimtare edhe në Komunën e Prizrenit, ku fitues është shpallur kandidati i PDK-së për këtë komunë, Shaqir Totaj.