Kosova numëron mbi 30 përqind të popullsisë së mitur, e kjo kategori po karakterizohet më e cenueshmja. Në ditën Botërore të Fëmijëve u tha se pandemia COVID-19 solli pasoja shkatërruese në mirëqenien e fëmijëve dhe se ishte krizë e të drejtave të tyre. Nga shteti po kërkohet që të kenë prioritet krijimin e mundësive të barabarta për fëmijët e të gjitha komuniteteve.
Në shënimin e Ditës Botërore të Fëmijëve dhe 75 vjetorit të UNICEF-it, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se çdo fëmijë duhet të ketë mundësinë për tu rritur në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm që ua mundëson të përmbushin potencialet.
“Fëmijët kudo në çdo vend të botës sot përballen me sfida të reja e të rrezikshme. Pandemia COVID-19 përveç se në shëndetin publik solli pasoja shkatërruese edhe për fëmijët, të drejtat, mirëqenien dhe zhvillimin e tyre. Ndonëse pandemia dhe recesioni shoqërues ka ndikuar në disponueshmërinë e burimeve, është e domosdoshme që të drejtat e fëmijëve të jenë prioritet. Kujdesi shëndetësor për fëmijët, edukimi dhe avancimi i të drejtave të tyre ekonomike dhe sociale janë thelbësore për vete. Por gjithashtu janë shtytës për shoqëri më të qëndrueshme, më të suksesshme”, u shpreh Kurti para fëmijëve.
Shefi i ekzekutivit theksoi se duhet të shtohen përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri të drejtë. Madje, sipas tij, Kosova ka detyrim që të respektojë Konventën e të Drejtave të Fëmijëve dhe deklaratën për të drejtat e fëmijëve të miratuar nga asambleja e përgjithshme e OKB-së.
“Kosova e ka popullsinë më të re në Evropë, 31 për qind të popullsisë në Kosovë janë prej 0-18 vjeç, pra gati 1/3 e popullsisë janë të mitur. E të cilët janë qytetarët tanë më të cenueshëm. Është me rëndësi që t’i pyesim se çfarë mendojnë ata, e të marrim parasysh atë që thonë në hartimin e politikave për mbrojtjen e tyre. Në fakt fëmijët flasin vazhdimisht me të rriturit, prindërit, kujdestarët e tyre. Të rriturit nuk dëgjojnë gjithmonë në këmbim, megjithëse do të ishte shumë më mirë nëse do të dëgjonin. Prioritet tona sado të rëndësishme, nuk bën të na largojnë vëmendjen nga ëndrrat e fëmijëve. Ato për të cilat ne sot angazhohemi çdo ditë si shoqëri, do të trashëgohen nga fëmijët. Prandaj që ne të rriturit duhet biseduar me ta se cila është ajo e ardhme që duam t’iu ndërtojmë fëmijëve”, ka theksuar ai.
Më tej, Kurti shtoi se qeveria është e përkushtuar që të sjell ndryshime thelbësore, me prioritet ato që ndërlidhen me shëndetin, mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve.
Për shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog të rinjtë janë pasuria më e vlefshme në Kosovë. Sipas tij, të rinjtë duhet të kenë mundësitë e nevojshme të aftësimit dhe të barabarta për të gjitha kategoritë.
“Janë konsultuar të rinjtë që kanë shprehur shqetësimet e tyre se shkollat nuk po i përgatitin për jetë dhe punë, dhe reformat në arsim diskutohen si prioritet në secilën formë të diskutimit të politikave që kemi me autoritetet e Kosovës. Shpresojmë se qeveria do ta mbajë premtimin e saj dhe do ta trajtojë me rëndësi arsimin dhe kapitalin njerëzor. Investimi tek të rinjtë është i vetmi investim me kthim të garantuar. Të rinjtë duhet të kenë mundësitë e nevojshme të aftësimit, të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e shoqërisë tuaj, dhe të jenë më konkurrues në tregun e punës në vend, në rajon, por edhe në Evropë. Në këtë përpjekje, të rinjve të të gjitha sferave dhe të të gjitha komuniteteve në Kosovë duhet t’u jepen mundësi të barabarta për të filluar nga e njëjta bazë”, ka deklaruar ai.
Madje, ai shtoi se ky është një angazhim që Kosova duhet të ndërmarrë përballë edhe procesit të integrimit në BE.
Në shënimin e Ditës Botërore të Fëmijëve, koordinatorja e OKB-së për zhvillim, Ulrika Richardson theksoi se shumë fëmijë të komuniteteve në Kosovë nuk janë të barabartë. Ajo ka përmendur edhe pasojat që ka sjellur pandemia për fëmijët.
“Gjysma e fëmijëve në botë janë prekur nga mbyllja e plotë ose e pjesshme e shkollave, gjysma e fëmijëve të botës, qindra milionë fëmijë do të preken për sa i përket mundësive të tyre të të mësuarit, kështu që ajo që u është privuar, nuk është vetëm mësimi formal, njohja formale por edhe socializimi mënyra e të qenit bashkë, edukimi qytetar, një mundësi për të qenë pjesë e botës dhe për të pasur mundësi të barabarta”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, shefja e Zyrës së UNICEF-it, Nona Zicherman tha se të rinjtë nga Kosova po i tregojnë botës se mund të frymëzojnë edhe shumë të tjerë.
“Sot fëmijët po përballen me sfida të reja, sfida që ishin të paimagjinueshme kur u themelua UNICEF, 75 vjet më parë, apo edhe në vitin 1989 kur u miratua konventa për të drejtat e fëmijës, siç janë ndryshimet klimatike, shtimi i migrimit, siguria në botën online, konfliktet që zgjasin gjithnjë e më shumë, dhe sigurisht, pandemia Covid-19. Pandemia rezultoi të ishte jo vetëm një krizë shëndetësore, por edhe një krizë e të drejtave të fëmijëve, covid-19 na hoqi normalitetin, por për shumë fëmijë normaliteti nuk ishte aq i mirë gjithsesi, tani duhet të rinovojmë angazhimin tonë për të garantuar të drejtat e fëmijëve pa diskriminim, në këtë botë jashtëzakonisht komplekse që ndryshon vazhdimisht”, ka deklaruar ajo.
Në shënimin e Ditës Botërore të Fëmijëve, kryeministri, ministri i shëndetësisë dhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit janë pyetur nga vet fëmijët për ato çfarë i preokupojnë.
Sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuara, kryeministri Albin Kurti tha se në institucionet qendrore janë 50 të punësuar, ndërsa dy të tjerë në kryeministri.
Po ashtu, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u ka bërë thirrje fëmijëve për vaksinim në mënyrë që si pasojë e COVID-19 të mos mbyllen shkollat.
Më tej, në shënimin e kësaj dite është organizuar një ecje nga Biblioteke Kombëtare deri te Rektorati. Të shtunën e 11 nëntorit, është lansuar edhe ekspozita për fëmijët në Prishtinë.