Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atëherë fitues i zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, përpara formimit të institucioneve të vendit thoshte se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë “prioritet i tretë apo i katërt”, derisa thoshte se për qytetarët është “prioritet i gjashtë a i shtatë”.
Kurti, pasi fitoi zgjedhjet parlamentare i proklamonte shtimin e numrit të të punësuarve dhe luftimin e korrupsionit si dy prioritetet e para të qeverisë së tij në ardhje, shkruan lajmi.net.
Në një intervistë për franko-zviceranen ‘Le Temps’, Kurti thoshte se do të bënte kompromis të ngriste më lart sesa që është prioritizuar dialogu nga qytetarët e vendit.
“Kjo temë renditet e gjashta ose e shtata midis prioriteteve të qytetarëve. Të gjitha sondazhet tregojnë se shqetësimet e tyre kryesore janë punësimi, ekonomia, drejtësia… Sidoqoftë, unë jam i gatshëm të bëj një kompromis, për ta vendosur dialogun në rendin e tretë ose të katërt të përparësive të mia!”, thoshte Kurti, u pati pyetur për çështjen e dialogut.
Megjithatë, përkundër radhitjes së prioriteteve, kreu i delegacionit kosovar shkoi në qershor të mbante takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel ku u hasën në mos-marrëveshje për çështjen e të pagjeturve dhe Asociacionin e Komunave.
Në takimin e dytë, po ashtu Kurti dhe Vuçiq nuk ranë dakord për asgjë. Dakordimi i vetëm ishte që bisedimet të vazhdojnë. Në këtë takim u prezantuan disa pika të cilat Kurti i proklamonte të paqes, megjithatë u refuzuan kategorikisht nga pala serbe.
“Ne kemi prezantuar në takim një marrëveshje të balancuar prej gjashtë nenesh, për paqe mes Serbisë dhe Kosovës, e cila u refuzua, pa u lexuar fare. Zëvendëskryeministri (Besnik) Bislimi i ka lexuar 11 pikat që paraqesin pengesa në raportet tregtare të Kosovës me vendet e tjera, që ne kërkuam të hiqen, por as kjo nuk u pranua”, deklaronte Kurti para mediave pas takimit.
Pala kosovare insistonte që në dokumentin ku flitet për të pagjeturit, të futet edhe togfjalëshi – “ballafaqimi me të kaluarën”. Por as kjo kërkesë nuk është pranuar nga pala serbe, ndonëse “në një formë të zbutur është pranuar nga ndërmjetësi, zoti Borrell”, sipas Kurtit.
Kjo do të shënohej si hera e fundit që do të pala kosovare dhe ajo serbe do të zhvillonin dialog të nivelit të lartë.
Por, në takimin e mbajtur në nivel teknik në nëntor ndërmjet dy palëve, shefi i diplomacies së BE-së ka kërkuar nga Kurti dhe Vuçiq që të vazhdojnë dialogun në muajin dhjetor.
Kurtit, në anën tjetër, iu është kushtëzuar nga diplomatë amerikanë përmbyllja e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse përgjatë mandatit të tij si kryeministër.
Në një vizitë që zhvilloi me të ngarkuarin me punë në ambasadën amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe, ky i fundit tha se diskutuan me kreun e ekzekutivit që të arrihet një marrëveshje gjithpërfshirëse përbrenda mandatit.
“Ishte kënaqësi takimi me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi sot për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë planet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë gjatë mandatit aktual të kryeministri”, u tha në postimin e Giacobbe në ‘Twitter’.
Një ditë përpara takimit, Kurti zhvilloi një intervistë me Radio Evropën e Lirë, ku tha se marrëveshja pritet të arrihet brenda mandatit të tij.
“Unë nuk mund të parashikoj se kur do të ndodhë, por nëse kemi parasysh që mandati i presidentit amerikan, (Joe) Biden, mandati i zëvendëskryetarit të Komisionit Evropian, Borrell dhe mandati im përafërsisht do ta kenë të njëjtën kohëzgjatje, është e pritshme që në kuadër të këtyre mandateve, që në kohë janë pak a shumë të njëjta, ta përmbyllim marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë”, tha në intervistë Kurti.
Temë e nxehtë në tavolinën e dialogimit mbetet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, marrëveshje kjo e arritur në Bruksel.