Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi paneli Zgjedhor për ankesa dhe Parashtresa e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit për kryetar të Komunës së Dragashit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani, lidhur me votat përmes postës.
LDK-ja përmes një reagimi në Facebook ka paralajmëruar ankesë në Supereme, e në raste të nevojës edhe në Kushtetuese.
“Sot, PZAP morri vendim skandaloz e të paprecedentë në sistemin zgjedhor të Kosovës. Anulojë të gjitha votat e mërgatës – të gjitha pa përjashtim – në rastin e Dragashit. Me këtë vendim, si asnjëherë më parë, duke i anuluar në bllok votat e njerëzve tanë, PZAP tenton të ndryshojë vullnetin qytetar.
Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se gjithë procesi i regjistrimit dhe votimit të qytetarëve tanë nga jashtë vendit, bazuar edhe në vendimet e KQZ-së, është zhvilluar brenda afateve dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Prandaj, ky proces, procesi i votimit përmes postës, nuk është kontestuar në asnjë fazë të zhvillimit të tij nga askush dhe është vlerësuar plotësisht i ligjshëm edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili ka proceduar me pranimin, verifikimin dhe numërimin e këtyre votave në përputhje me procedurat e parapara ligjore. LDK do të ankohet në Supreme e në rast të nevojës dhe në Kushtetuese. Betejat politike të fituara me votë s’mund të transferohen në tavolinë.”.
Po ashtu në njoftim thuhet se të njëjtat vota ishin pranuar e certifikuar në raund të parë.
“Mbi të gjitha, në këtë transformim të vullnetit qytetar, PZAP nuk ka marrë as mundin e as përpjekjen për t’i kontaktuar qytetarët tanë në mërgatë. Duam të besojmë se Supremja do të korrigjoj këtë skandal të ri në vend”.