Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaDështon rigjykimi për krim të organizuar dhe narkotikë, i akuzuari gjendet i...

Dështon rigjykimi për krim të organizuar dhe narkotikë, i akuzuari gjendet i burgosur në Gjermani

Për shkak se Ylber Jashanica, i akuzuar për narkotikë e krim të organizuar ka munguar në gjykatore, ka dështuar të mbahet seanca e së premtes, ku ishte planifikuar të filloj rigjykimi i dytë ndaj tij.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, ka bërë të ditur se i akuzuari nuk prezanton në gjykatore dhe se i njëjti është ftuar në adresën që është në shkresa të lëndës.

Sipas saj, gjykata për të njëjtin ka lëshuar edhe urdhëresë për verifikim adrese, por në bazë të dhënave nga policia kjo adresë nuk ekziston në Prishtinë.

Gjithashtu, ajo bëri të ditur se gjykata është informuar nga avokati i të paditurit,  Besnik Berisha, që gjithashtu nuk ishte prezent në gjykatë, se familjarët e të akuzuarit kanë njoftuar që i njëjti është në vuajtje të dënimit në shtetin e Gjermanisë.

Në anën tjetër, prokurori special, Haki Gecaj, bëri të ditur se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 10 shtator 2020, ka pranuar një kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare e që ka të bëj me shtetasin kosovar Ylber Veseli, më vonë me mbiemrin Jashanica.

“E me vendndodhje në entin korrektues JVA-Munchen, në bazë të kërkesës rezultonte se kundër Ylber Veselit – Jashanica, pranë gjykatës krahinore në Munchen është duke u zhvilluar një procedurë hetimore për shkak të importimit të palejueshëm të lëndëve narkotike në sasi jo të vogla në tre raste sipas nenit 30 paragrafi 1 të ligjit gjerman mbi lëndët narkotike”, ka thënë prokurori Gecaj.

Ai tha se në bazë të kërkesës rezulton se rasti për të cilin dyshohet dhe mbahej në paraburgim ka të bëj me një rast që ka ndodh në vitin 2004, në Munchen dhe atje ka qenë në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Prokurori bëri të ditur se kërkesa e tyre ka qenë që tua dërgojnë shkresat e lëndës, aktgjykimin e gjykatës themelore të datës 17 tetor 2016, në Prishtinë dhe aktvendimin e Gjykatës së Apelit, për të cilin rast lënda është kthyer në rigjykim.

“Unë i jam përgjigjur kërkesës për ndihmë juridike ndërkombëtare dhe ja kam përcjell aktgjykimin e Themelores dhe të Apelit. I kam njoftuar se rasti është kthyer në rigjykim për çështjen që është gjykuar pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda”, shtoi prokurori Gecaj.

Tutje, tha se më nuk kanë njohuri për të njëjtin, por sipas tij, dihet se në këtë kohë i akuzuari ka qenë nën masën e paraburgimit në Gjermani.

“Nuk kemi informata si ka përfunduar ky rast, a është gjyku dhe në çfarë faze është procedura e këtij rasti”, ka thënë ai.

Më pas, gjykatësja Namani konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e kësaj seance dhe se e njëjta shtyhet në kohë të pacaktuar.

“Për të akuzuarin Ylber Jashanica gjykata do të drejtoj kërkesë për zyrën federale për drejtësinë gjermane përmes Ministrisë së  Drejtësisë, Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, për të marrë të dhëna- informata”, ka thënë ajo.

Sipas saj, informatat që do të kërkohen do të jenë nëse i njëjti a është ende në vuajtje të dënimit në shtetin gjerman dhe se ndaj të njëjtit a është marrë ndonjëherë aktgjykim në shkallë të parë dhe nëse i njëjti është bërë i formës së prerë me qëllim të procedimit të çështjes penale.

Ndryshe, me 29 nëntor 2013, Jashanica ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ishte dënuar me dënim unik prej 11 vitesh burgim dhe me gjobë në shumën prej 25 mijë euro.

Më pas me 14 maj 2015, Gjykata e Apelit, kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas rigjykimit, më 17 tetor 2016, gjykata e shkallës së parë sërish të njëjtin e kishte shpallur fajtor dhe dënuar me dënim unik prej 4 vitesh e 10 muajsh burgim dhe 11 mijë euro gjobë.

Ndërkaq, kjo gjykatë kishte refuzuar akuzën për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve për shkak se prokurori kishte hequr dorë nga kjo pikë e akuzës, ngase kjo vepër është amnistuar me Ligjin e Amnistisë.

Kurse, Gjykata e Apelit, e kishte kthyer çështjen në rigjykim me 6 shtator 2017, ndërsa sa i përket veprës penale për armëmbajtje pa leje, për të cilën ishte shpallur aktgjykim refuzues, kjo pjesë e aktgjykimit kishte mbetur e paprekur.

Në këtë rast prokurori Andrew Carney e kishte dorëzuar aktakuzën e ndryshuar të datës 10 dhjetor 2015, para rigjykimit të pandehurit, me qëllim që të korrigjohen gabimet procedurale në dispozitiv që ishin cituar në vendimin e Gjykatës së Apelit me 14 maj 2015.

Në pikën e parë të akuzës, Jashanica thuhet se mes datave 27 gusht dhe 12 tetor 2010, në territorin e Kosovës, pa autorizim ka kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve të rrezikshme narkotike dhe substancave psikotropike duke eksportuar nga Kosova dhe duke importuar për në Republikën Federale të Gjermanisë përmes shteteve të tjera në Evrope një ngarkesë prej 4.56 kg heroinë (pesha neto), narkotikë të ndarë në 9 paketime, siç është konfiskuar nga kapaku i gomës së përparme të makinës “Mercedes Benz C Class” në Munih Gjermani më 11 tetor 2010 dhe në këtë periudhë kritike ai ka vepruar si pjesëtar i një grupi.

Këtë thuhet se e ka bërë në bashkëkryerje me Markus Gack, Fatmir Zeka, Sadik Ahmetaj dhe Jeton Bajraktari dhe bashkëkryes të tjerë të paidenfikuar. Në këtë pikë të akuzës ai akuzohet për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Edhe në pikën e dytë të akuzës akuzohet për të njëjtën vepër, ku thuhet se mes datave 13 gusht 2010 dhe 14 shtator 2010 , në territorin e Kosovës, pa autorizim ka kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve të rrezikshme narkotike dhe substancave psikotropike duke eksportuar nga Kosova dhe duke importuar për në Republikën Federale të Gjermanisë  përmes shteteve të tjera në Evrope një ngarkesë heroine, 418 gram prej të cilës u konfiskua nga banesa e Martina Danek në Munih, Gjermani, me 14 shtator 2010 dhe se ka vepruar si pjesëtar i një grupi. Këtë thuhet se e ka bërë në bashkëkryerje me Stefan Freismidl, Martina Danek dhe Fatmir Zeka.

Edhe në pikën e tretë të akuzës ngarkohet me të njëjtën vepër penale, ku thuhet se mes datave 2 janar 2011 dhe 12 janar 2011, në territorin e Kosovës, pa autorizim ka kryer veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve të rrezikshme narkotike dhe substancave psikotropike duke eksportuar nga Kosova dhe duke importuar për në Republikën Federale të Gjermanisë  përmes shteteve të tjera në Evrope një ngarkesës prej 1.992 kg heroinë që është konfiskuar në makinë “Mercedes Benz C class” në Munih, Gjermani, më 11 janar 2011, ku heroine ishte e mbështjellë brenda 4 paketimeve, secila në peshë prej afërsisht 9.497 kg dhe se e ka bërë në bashkëkryerje me Martin OTT dhe Avdullah Mustafaj.

Në pikën e katërt të akuzës, po ashtu akuzohet për të njëjtën vepër penale dhe thuhet se me 2 tetor 2012, ka kryer veprën e blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve të rrezikshme narkotike dhe substancave psikotropike, duke zotëruar paautorizim 3.38 gram kanabis sativa me qëllim të shitjes apo shpërndarjes apo ofrimit të shitjes së narkotikut, që u konfiskua nga kati përdhes i shtëpisë së tij me 2 tetor 2012.

Në pikën e pestë të aktakuzës ai ngarkohej për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo në shfrytëzim të paautorizuar të armëve.

Edhe në pikën e gjashtë të akuzës akuzohet se me 2 tetor 2012 në territorin e Kosovës ka kryer veprën penale të blerjes, zotërimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve të rrezikshme narkotike dhe substancave psikotropike  duke zotëruar paautorizim përzierjen prej 11.66 gram të heroinës me paracetamol me qëllim të shitjes apo shpërndarjes apo ofrimit për shitje së narkotikut, i cili ka qenë i vendosur në një qese plastike të konfiskuar nga tualeti i banesës së itj në Prishtinë me 2 tetor 2012.

E në akuzën e shtatë, ai ngarkohet për krim të organizuar, pasi sipas kësaj pike, mes 1 maj 2010 dhe 2 tetor 2012, ka kryer këtë vepër penale në territorin e Kosovës, duke shkaktuar krime të rënda, përkatësisht veprën penale të blerjes, zotërimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të lëndëve të rrezikshme narkotike dhe substancave psikotropike, duke organizuar dhe marrë pjesë, paautorizim në eksportimin apo importimin apo në përgatitjen e substancave që janë deklaruar të jenë lëndë të rrezikshme narkotike në Republikën Federale të Gjermanisë, përkatësisht të disa ngarkesave të heroinës, brenda një grupi të organizuar kriminal, së bashku me Markus Gack, Sadik Ahmetaj, Jeton Bajraktari, Stefan Freismidl, Martin Ott, Fatmir Zeka, Bashkim Kamerolli, Avdullah Mustafaj, Arton Musliju, Martina Danek dhe bashkëkryes tjetër të panjohur

Këtë thuhet se e kanë bërë duke marrë pjesë aktivisht në një grup kriminal si dhe duke organizuar, krijuar, mbikëqyrur, drejtuar dhe menaxhuar veprimtaritë e grupit, me qëllimin për të siguruar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthortë, përfitime financiare apo përfitime të tjera materiale.

Tutje, thuhet se në veçanti, Ylber Jashanica kishte organizuar dhe marrë pjesë në eksportimin nga Kosova dhe importimin në Republikën Federale të Gjermanisë të ngarkesave si në vijim: mes 1 majit dhe 1 korrikut 2010 një ngarkesë prej 500 gram të heroinës së bashku me Markus Gack, Fatmir Zeka, Sadik Ahmetaj dhe Jeton Bajraktari, mes 12 gusht dhe 22 gusht një ngarkesë prej 5kg heroinë me narkotikët e paketuar në 10 paketime prej 500 gtram secila me Martin Gack, Fatmir Zeka, Sadik Ahmetaj dhe Jeton Bajraktari.

Tutje, përmendet se mes 13 gushtit dhe 14 shtatorit ka marrë pjesë në ngarkesën prej 418 gram heroinë me Stefan Freismidl, Martina Danek dhe Fatmir Zeka, me 30 gusht një ngarkesë prej 4.5 kg heroinë së bashku me Strefan Freismidl dhe një kryes tjetër të paidentifikuar, mes 31 gushtit dhe 2 shtatorit 2010 një ngarkesë prej 3kg heroinë së bashku me Stefan Freismidl dhe Martin OTT.

Tutje, thuhet se ka marrë pjesë në ngarkesën prej 4.56 kg heroinë mes 27 gusht 2010 dhe 12 tetor 2010 së bashku me Markus Gack, Fatmir Zeka, Sadik Ahmetaj dhe Jeton Bajraktari, si dhe mes 5 tetor 2010 dhe 5 dhjetor 2010 një ngarkesë prej 3kg heroinë së bashku me Fatmir Zeka dhe Arton Musliju.

Ndërkaq, në fund përmendet, ngarkesa me heroinë, mes 2 janar dhe 11 janar 2011, prej 1.992 kg të pluhurit që përbehej nga 115.18 gram heroinë që thuhet se e ka bërë së bashku me Martin Ott dhe Avdullah Mustafaj./Betimi për Drejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments