81-vjeçari, Arif Hajdinaj, shtetas i Shqipërisë, e ka pranuar fajësinë se në gusht të këtij viti, në Koshare të Gjakovës, ka kultivuar dhe mbajtur 150 bimë të llojit marihuanë.
Në seancën fillestare të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, i akuzuari Hajdinaj e pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.
“Për halle familjare e kam bo këtë punë”, tha i akuzuari.
Prokurori Ali Uka dhe mbrojtësi i të akuzuarit i caktuar sipas detyrës zyrtare, Ndrecë Dodaj, nuk e kanë kundërshtuar pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit.
Avokati Dodaj kërkojë nga gjykata që t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit.
“T’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese, si pranimi i fajësisë, moshën e tij të shtyrë mbi 80 vjec, gjendjen shëndetësore të tij, ku në këtë moshë askush nuk është i shëndoshë dhe se nuk ka të kaluar kriminale”, tha avokati.
Ai i propozojë gjykatës që të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim me kusht ose një dënim me burg i cili do t’i zëvendësohej në dënim me gjobë.
Më pas, gjykatësi Drilon Haraçia e ka aprovuar pranimine fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit, derisa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 23 nëntor 2021.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Arif Hajdinaj, më 5 gusht 2021, në zonën e fshatit Koshare të Komunës së Gjakovës, në afërsi të brezit kufitar me Shqipërinë, pa autorizim ka kultivuar dhe mbajtur substancë narkotike dhe atë 150 bimë të cilat janë dyshuar të jenë të llojit marihuanë dhe atë me qëllim të prodhimit të narkotikëve ose substancave psikotrope.
Tutje në aktakuzë thuhet se, gjatë kohë sa policia ka qenë në vëzhgim të parcelave të mbjella me marihuanë, aty rreth orës 05:20 vjen i akuzuari, i cili me vete kishte një sopatë në dorë dhe disa shishe të thata të ujit me qëllim që t’i ujiste të dy parcelat, ashtu që nga ekzaminimi i kryer i një mostre ka rezultuar të jetë e llojit marihuanë.
Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272 paragrafi 1 i KPRK-së. Kjo vepër dënohet me burgim prej 1 deri në 10 vjet./BetimipërDrejtësi