Saturday, November 23, 2024
HomeLajmeKosovaKosova me më së paku degë bankare dhe bankomatë në rajon, BQK...

Kosova me më së paku degë bankare dhe bankomatë në rajon, BQK u del në mbrojtje bankave

Në vitet e fundit në Kosovë është vërejtur dukshëm reduktimi i degëve bankare dhe i infrastrukturës së bankomatëve (ATM) nga bankat në Kosovë, duke e bërë kështu më të vështirë qasjen dhe kryerjen e shërbimeve për qytetarët në vend.

 

ATM-të janë pajisje elektronike të cilat vendosen afër bankave, mirëpo edhe në lokacione të tjera nëpër qytete për t’ua bërë më të lehtë qytetarëve tërheqjen e parave cash, si dhe kryerjen e ca shërbimeve të tjera, si: inicimin e transfereve, pagesat e faturave, si dhe pagesa të kartave të kreditit.

Ndonëse sipas të dhënave të raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) me titull “Strategjia Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Kosovë”, Kosova është e fundit në rajon për nga numri i degëve bankare dhe infrastrukturës së bankomatëve, në përgjigjet për Buletinin Ekonomik, BQK-ja iu del në mbrojtje bankave duke thënë se krahasuar me vendet e rajonit dhe disa vende evropiane, Kosova ka një pozitë më të mirë sa i përket terminaleve ATM, nëse merret për bazë numri i banorëve dhe sipërfaqja e vendit.

Por, duke u bazuar në të dhënat e këtij raporti, qartazi shihet se deri në vitin 2018, numri i degëve të bankave për 100,000 banorë të moshës madhore është zvogëluar në 16.8 në krahasim me 20.6 sa ka qenë në vitin 2015. E pikërisht këto të dhëna e paraqesin Kosovën si vendin me më së paku degë bankare në rajon.

Sipas po të njëjtit raport, më së shumti degë bankare në 100,000 banorë ka Mali i Zi, përkatësisht 43.6, e pasuar nga Bosnia dhe Hercegovina me 28.3, Serbia me 28.2, Maqedonia Veriore 25.6, dhe e parafundit del të jetë Shqipëria me 20.6.

Në anën tjetër, edhe infrastruktura e ATM-ve dhe POS-ve nuk është e zhvilluar mjaftueshëm në Kosovë, krahas vendeve tjera të rajonit. Numri i ATM-ve për 100,000 të rritur është 35.3, shifër kjo, po kështu, ndër më e ulëta në rajon. Sepse, ta zëmë, numri i ATM-ve në Mal të Zi është 87, në Maqedoninë e veriut – 59, 8, në Bosnjë e Hercegovinë 55, 8, në Serbi 48, 4 dhe në Shqipëri 30, 6, që po del se vetëm Shqipëria ndër të gjitha vendet e rajonit ka më pak ATM se Kosova.

Edhe te numri i terminaleve POS për 100,000 banorë Kosova qëndron më keq sesa shtetet e rajonit me përjashtim të Shqipërisë. Te ne numri i terminaleve POS për 100 mijë banorë të rritur është 642, ndërsa në Mal të Zi ky numër arrinë në 1.962, në Maqedoninë e Veriut 1.545, në BeH 761, në Serbi 1.038 dhe në Shqipëri që radhitet si shteti i vetëm nën Kosovën, numri i terminaleve është 254. Prishtina është qyteti ku ka më së shumti ATM dhe POS terminale që janë në dispozicion për qytetarët.

Kështu, deri në fund të vitit 2019, rreth 34.6% e ATM-ve dhe 41.5% e terminaleve POS ishin të koncentruara në rajonin e Prishtinës, që është një dallim i madh me komunat e tjera.

Ndërkohë në përgjigjiet e BQK-së nuk dalin të njëjtat statistika.

Sipas zëdhënësit të BQK-së, Kushtrim Ahmetit, janë bankat ato të cilat vendosin për përcaktimin e numrit të ATM-ve apo distancën që duhet ta kenë bankomatët në mes të tyre. BQK-ja, zvogëlimin e ATM-ve dhe degëve bankare në Kosovë, ia atribuon teknologjisë së avancuar nga bankat e jashtme që operojnë në vend. Me këtë teknologji, sipas zëdhënësit të BQK-së, ofrohen shërbime të cilat mund të kryhen nëpërmjet telefonit pa pasur nevojë fare të vizitohet banka fizikisht, siç janë platformat e-banking dhe m-banking.

“Kjo ngërthen në vete edhe çmime më të lira të shërbimeve bankare. Bankat komerciale vendosin për rritje të numrit, sigurisht se në bazë të kërkesave të tregut, klientëve. Dhe viteve të fundit është evidente se kanë zhvilluar dhe ngritur cilësinë në Terminale (të quajtur si vetëshërbim/Self Serve) me 24/7, që ua bën të mundshme klientëve, që përveç tërheqjes kesh,në ATM të kryhen edhe shërbime të tjera, përfshirë inicimin e transfereve dhe pagesat e faturave, pagesa të kartës së kreditit, etj”, shpjegojnë nga BQK. /Buletini Ekonomik.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments