Dhjetë njerëz janë gjetur të vdekur në pjesën e poshtme të një barke druri të stërngarkuar afër brigjeve të Libisë, raportoi organizata “Mjeket Pa Kufij”.
Sipas të mbijetuarve, ata që vdiqën të martën mbetën pa frymë pas 13 orëve të gjendur të dyndur në pjesën e poshtme të barkës, ku kishte kundërmim të fortë të karburantit.
Në një operacion të vështirë, më pak se 30 milje detare nga bregdeti libian, ekipi i organizatës “Mjekët Pa Kufij” arritën përmes anijes së shpëtimit “Geo Barents” deri të barka me më shumë se 100 azilkërkues, të cilët po përpiqeshin të arrinin në Evropë. Të mbijetuarit u thanë shpëtuesve se ka persona të dyndur në kuvertën e poshtme të barkës që nuk kanë vetëdije.
Pasi i largoi 99 persona nga barka dhe i vendosi në anijen shpëtuese – të gjithë këta kishin shenja të stresit akut dhe traumës -, ekipi i shpëtimit gjeti dhjetë trupa të pajetë në fund të barkës.
Disa të mbijetuar u detyruan që ta identifikonin trupin e një vëllai më të ri ose miku që kishte vdekur pranë tyre disa orë më parë.
Linja për shpëtim, e menaxhuar nga vullnetarët, “Alarm Phone”, i akuzoi autoritetet evropiane për injorimin e thirrjes për ndihmë. “Ne e kishim ngritur alarmin, disa orë më herët, por askush nuk u përgjigj. Jemi lodhur me njoftimet për këto vdekje që kanë mundur të shmangen”, tha ky grup.