Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë (SBASHK), ka njoftuar për mobilizim lidhur me protestën që do e mbajnë më 4 dhjetor, në shenjë pakënaqësie lidhur me mos-miratimin e Ligjit për Paga.
Në një njoftim të lëshuar në ‘Facebook’, nga SBASHK-u thonë se kanë filluar takimet konsultative me përfaqësues të këshillave të prindërve.
“Në kuadër të këtyre përgatitjeve SBASHK-u ka nisur takimet konsultative me përfaqësues të Këshillave prindërve duke filluar me Prishtinën. Në selinë e SBASHK-ut kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri dhe kryetarin e Kuvendit të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar të Prishtinës, Ahmet Pllana kanë pritur kryetarin e Këshillit të prindërve Jeton Demi dhe anëtarët e kryesisë së Këshillit të prindërve të Prishtinës Nexhmi Hoxha dhe Besim Cakolli”, thuhet në njoftim.
Çështja për të cilën do të protestojnë dhe kanë paralajmëruar grevë nga SBASHK-u është ajo e mos-miratimit të Ligjit të Pagave.
Koordinatori i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, për lajmi.net dje tha se në rast se nuk gjejnë pajtim me Qeverinë, ka mundësi që të mos fillojë fare perioda e tretë për shkollat fillore dhe ato të mesme.
Kësaj proteste pritet t’i bashkëngjiten edhe punonjësit shëndetësor, për po të njëjtën kauzë.