smet Rexhepi është zgjedhur kryetar i Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK), pozitë që mbeti vakant pas dorëheqjes së Nehat Çitakut, i cili në letrën dërguar delegatëve të Kuvendit të Federatës ka bërë të ditur se u largua për arsye personale dhe familjare.
Në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor, nga 20 delegatët e Kuvendit, të pranishëm ishin 18 sosh dhe votuan unanimisht për Rexhepin.
“Ju falënderoj për besimin. Pavarësisht nëse kam qenë kryetar apo në një pozitë tjetër, përkushtimi im ka qenë shumë serioz, ndërsa tash e tutje do të jetë edhe më i madh.
Kjo për faktin se, sidomos pas garës në Portugali, qasja ndaj Federatës sonë është shumë më pozitive dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment”, ka thënë Rexhepi, pasi u zgjodh kryetar, duke shtuar “Besoj fuqishëm se, bashkë me të gjithë ju do arrijmë suksese dhe ndryshime edhe më të mëdha. Do të ndërmarrim veprime kapitale, qoftë në infrastrukturë, organizim apo pjesëmarrje në më shumë gara ndërkombëtare”.
Me zgjedhjen e tij kryetar u lirua pozita e nënkryetarit, në të cilën tash e tutje do të jetë Agron Dida.
Po ashtu u plotësua edhe Bordi, në të cilin me vota u zgjodhën Blerim Gashi e Gazmend Hoxha, ndërsa kryetari Rexhepi e shfrytëzoi të drejtën e tij dhe i emëroi tre anëtarët e rinj, Vjosa Selmanin, Ymer Mariqin dhe Bahtije Shalën.
Një vendim tjetër i rëndësishëm nga Kuvendi i FASK-ut ishte ai për hartimin e planit strategjik, detyrë që iu besua ish-presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, Master i Menaxhimit të Organizatave Sportive.
“Hartimi i planit strategjik është një hap shumë i rëndësishëm për çdo organizatë sportive dhe unë e inkurajoj FASK-un për këtë nismë, të mirat e së cilës janë të shumta. Rritja e suksesit dhe atë për shumëfish, rritja e motivit të të gjithë hisedarëve, dallimi i lidershipit, rritja e potencialit komercial e të tjera janë disa nga efektet që jep hartimi i planit strategjik.
Për të hartuar këtë plan duhet shumë punë dhe kohë, por duke shfrytëzuar përvojën time dhe bashkëpunimin me të gjithë ju, besoj se do të bëjmë punë të mirë dhe rezultatet do të shihen në të ardhmen” është shprehur Hasani.
Ndërkohë, në FASK është paralajmëruar pjesëmarrja por edhe organizimi i seminareve e trajnimeve të ndryshme.