Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka mohuar se Shqipëria do t’i pranojë azilkërkuesit nga vendet tjera, përgjatë kohës që Mbretëria e Bashkuar ka thënë se po shqyrton të arrijë një marrëveshje për t’i kaluar ata në Shqipëri.
“Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend ku vende shumë të pasura do të krijojnë kampe për refugjatët e tyre, asnjëherë”, tha Rama të enjten, më 18 nëntor, teksa u pyet nga gazetarët për shkrimet e mediave britanike për mundësinë e krijimit të një kampi në Shqipëri, ku mund të strehoheshin azilkërkues që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar.
Mediat britanike raportuan së fundmi se në Shqipëri mund të ngrihet një kamp refugjatësh apo azilkërkuesish dhe se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po zhvillon “bisedime diskrete” me Qeverinë shqiptare për krijimin e një qendre apo kampi të tillë.
Zëvendëskryeministri britanik, Dominic Raab, ka thënë se qeveria po gjen mënyra për t’i nxjerrë jashtë Britanisë së Madhe azilkërkuesit.
Në një intervistë për Sky News, Raab u pyet nëse njerëzit që kërkonin azil në Mbretërinë e Bashkuar do të dërgoheshin me avion në Shqipëri, dhe ai tha se Shqipëria është një nga opsionet që i kanë.
Sipas BBC-së, më shumë se 23,000 njerëz kanë bërë kalimin nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar me varkë deri tash këtë vit, një rritje e theksuar nga 8,404 më 2020 – dhe shumë më tepër se në vitet para pandemisë, kur shumica e azilkërkuesve mbërritën me avion, traget ose tren.
Kohët e fundit, numri i migrantëve që kalojnë Kanalin nga Franca drejt Britanisë së Madhe ka arritur në mbi 1000 në ditë, sipas BBC-së.