Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hysen Berisha, e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti në Kuvend, për dy personat të cilët i ka postuar në rrjetin social Facebook, duke i quajtur kriminelë dhe organizues të ngjarjeve të fundit në Veri.
“I ke përshkruar biografitë e tyre si kriminelë, ju lutem na tregoni a janë arrestuar, a janë shpallur në kërkim dhe a janë proceduar nga Kosova si kriminelë që janë”, e pyeti Berisha, Kurtin.
Kryeministri tha se Prokuroria Speciale ka dërguar raportin informues lidhur me ngjarjet e bllokimit në magjistrale për dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, më datë 27 shtator, dhe më 15 tetor raportin përmbledhës ku janë të përfshirë edhe personat e dyshuar, Vlladisllav Dajkoviq e Igor Braunoviq.
“Pushtetit gjyqësor është i pavarur dhe pushteti ekzekutiv nuk mund të ndërhy në punën e këtij të fundit, prandaj na duhet të mbështetemi në tërësi në profesionalizmin e Prokurorisë Speciale. Bazuar në në informacione nga Prokuroria Speciale, drejtoria për hetime të krimeve të rënda është duke hetuar rastin e bllokimit të rrugëve në Veri për veprat penale, sulmi kundër rendit juridik kushtetues, thirrje për rezistencë, pjesëmarrje në grup të organizuar dhe pengim i personit zyrtar. Prokuroria Speciale ka dërguar raportin informues lidhur me ngjarjet e bllokimit në magjistrale për dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak me datë 27 shtator, raportin përmbledhës informues me 15 tetor 2021 ku janë përfshirë edhe personat e dyshuar, Vlladisllav Dajkoviq nga Mali i Zi dhe Igor Braunoviq nga Serbia. Ende janë duke u zhvilluar procedurat e hetimit dhe pas kompletimit të tyre, Prokuroria Speciale do të veprojë në pajtim me dispozitat ligjore”, tha Kurti.