Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaAsamblisti i Malishevës pranon fajësinë për korrupsion

Asamblisti i Malishevës pranon fajësinë për korrupsion

Asamblisti i Kuvendit Komunal në Malishevë, Valon Krasniqi ka pranuar fajësinë për mos deklarim të pasurisë.

I akuzuari Krasniqi u deklarua fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, në shqyrtimin fillestar, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Enis Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në aspektin ligjor unë jam i fajshëm, po edhe për vonesën sigurisht që jam i fajshëm”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se për vonesën e mos deklarimit nuk mund të jap arsye, dhe kërkoi nga gjykata një dënim sa më minimal.

Pranimin e fajësisë nuk e kundërshtoi prokurori Gashi, i cili kërkoi nga gjykata që ndaj të akuzuarit të merret aktgjykim dënues dhe që gjatë caktimit dhe matjes së dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Me vendim të gjykatësit, Njazi Morina, u aprovua pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penale do të bëhet më 22 nëntor të këtij viti.

Valon Krasniqi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, se nga 1 marsi e deri më 31 mars 2020, në cilësinë e këshilltarit në Asamblenë Komunale në Malishevë, nuk e bën deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare.

Sipas aktakuzës, ai nuk deklaron pasurinë e tij në afatin e rregullt vjetor që është dashur ta bëjë deri më 31 mars 2020, i cili ishte shtyrë deri më 19 qershor 2020, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës për parandalimin e pandemisë Covid-19, edhe pse përkundër asaj që i njëjti ka qenë i njoftuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Për këtë, Valon Krasniqi, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments