Policia në Milano arrestoi të mërkurën një vajzë italiane, 19 vjeçe, nën akuzat për terrorizëm ndërkombëtar.
Sipas agjencive të lajmeve në Itali, e dyshuara, “e cila ka rrënjë kosovare”, u dërgua në burg.
Gjykatësi i hetimeve paraprake tha se disa nga mijëra fotografitë dhe videot e ruajtura në telefonin e vajzës, kanë përmbajtje të krijuar nga krahu mediatik i grupit militant Shteti Islamik (IS), i njohur si “Al Hayat Media Center”.
Këto përfshijnë skena të luftës, “ekzekutime të të pafeve me prerje të kokës” dhe “skena të sulmeve terroriste”.
Siç raporton agjencia ANSA, në telefonin e së dyshuarës ka edhe një fotografi të një burri që ka hedhur veten në erë në Aeroportin e Kabulit, më 26 gusht.
Së paku 183 njerëz janë vrarë në këtë sulm, përfshirë 170 civilë afganë dhe 13 pjesëtarë të ushtrisë amerikane.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë një degë e IS-it, e njohur si Shteti Islamik Khorasan.
Nga viti 2011, kur Shteti Islamik ka marrë kontrollin e shumë territoreve në Siri dhe Irak, qindra kosovarë, në mesin e tyre edhe gra, kanë udhëtuar drejt këtyre vendeve.
Disa prej tyre janë vrarë ose kanë mbetur në zonat e luftës edhe pasi Shteti Islamik është shpallur i mposhtur në ato territore, në vitin 2019, ndërsa të tjerë janë riatdhesuar në Kosovë.