Monday, November 25, 2024
HomeLajmeKosovaDel para gjykatës gjilanasi i cili dyshohet se mori pensionin e veteranit...

Del para gjykatës gjilanasi i cili dyshohet se mori pensionin e veteranit pa qenë në luftë

I akuzuari F.A është deklaruar i pafajshëm për akuzën se plotësoi të dhëna të pavërteta, kinse i njëjti nga 14 prill 1999 deri më 15 qershor 1999, ka qenë ushtar aktiv në Zonën Operative të Karadakut.

Këtë deklarim rreth fajësisë, i akuzuari e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Halim Borovci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën hyrëse, prokurori Borovci tha se akti akuzues është bazuar në provat materiale, siç janë shkresat zyrtare, raporti i njësisë së hetimeve për aplikacionet e dyshimta, deklarata e dëshmitarit, deklarata e të pandehurit, fletë-dëshmia për aplikacionet e dyshimta dhe aplikacioni për njohjen e statusit të veteranit.

I njëjti tha se  pas dëgjimit dhe administrimit të këtyre provave, do të vërtetohet se i akuzuari është kryesi i veprës penale dhe i propozoi gjykatës administrimin e provave.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Fadil Sinani e ka kundërshtuar aktakuzës, duke thënë se me provat që pretendohen nga prokuroria për vërtetimin e fajësisë, nuk do të mund të vërtetojnë fajësinë për të mbrojturin e tij.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor ne do të propozojmë dëshmitarë që kanë qenë bashkë, luftëtarë të klientit tim, të cilët do të vërtetojnë se ka qenë pjesëtar i Luftës në Kosovë”, ka  thënë avokati Sinani.

I akuzuari tha se e mbështet në tërësi fjalën e mbrojtësit të tij.

Seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit F.B, i cili ka thënë që të akuzuarin e ka fqinj.

Dëshmitari ka deklaruar që ka qenë pjesë e strukturave të UÇK-së në periudhën kohore prej 14 prill 1999 deri më 14 qershor 1999 dhe se qenë përgjegjës i pikës A2 që i ka përfshirë tri lagje të fshatit Vërbicë të Zhegovcit.

“Unë në atë kohë nuk mundem ta di se i akuzuari a ka qenë pjesë e luftës, për arsye se dy ditë 15 dhe 16 prill e vitit 1999 ka qenë ofenzivë dhe kam qenë shumë i angazhuar”, ka thënë dëshmitari.

Ai shtoi se në atë kohë e ka angazhuar një ushtar, V.A, si përgjegjës, i cili ishte i angazhuar që të merret me lagjen e të akuzuarit.

Po ashtu, tha se për të qenë ushtar në njësitin e tij, ushtarët është dashur të kryejnë disa obligime,.

Sipas dëshmitari, pas ofenzivës, popullata është shpërngulur dhe ai ka mbetur me një rreth shumë të ngushtë të ushtarëve dhe nuk ka pasur mundësi që të vizitojë lagjen e tani më të akuzuarit.

“Ne pjesërisht kemi pasur pajisje ushtarake dhe uniforma, po ashtu unë e konsideroj ushtar edhe një person që nuk ka pasur uniformë, po ashtu ka mundur të ketë raste që të angazhohet ndonjë ushtar pa dijen time” ka thënë ai.

Për shkak të mungesës së dëshmitarëve të tjerë, seanca është ndërprerë dhe e njëjta është shtyrë më 21 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës, më 17 nëntor 2015 e deri më sot pa ndërprerë në Gjilan, i pandehuri F.A e ka vënë në lajthim organin zyrtar kompetent-Komisionin Qeveritar të Republikës së Kosovës, për ta vërtetuar një çështje të pavërtetë, e paraparë të shërbejë si provë të një çështje ligjore në një dokument publik, dhe tani në vazhdimësi po e mbanë në lajthim edhe Ministrinë për Mirëqenie Sociale në Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aplikacionin blanko të dedikuar vetëm për pjesëmarrësit aktiv në UÇK, e ka plotësuar me të dhëna të pavërteta, kinse i njëjti nga data 14 prill 1999 e deri më date 15 qershor 1999, ka qenë ushtar aktiv në Zonën Operative të Karadakut, i angazhuar në aktivitete ushtarake të logjistikës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti si dëshmi në aplikacion ka evidentuar personat përgjegjës të tij, dhe këtë aplikacion e ka dorëzuar ne Shoqatën e Veteranëve të Luftës në Gjilan, e nga aty aplikacioni iu është dorëzuar Komisionit Qeveritar në Prishtinë, duke e vënë të njëjtin në lajthim.

Aktakuza thotë se nga data 1 tetor 2015, të pandehurit iu është njohur statusi i veteranit të luftës dhe njëkohësisht e drejta në pension mujor prej 170 euro, të përcaktuar për veteranët e luftës, ndërsa më vonë gjatë hetimit preliminar të aplikacioneve te dyshimta, është vërtetuar se i njëjti është shërbyer me dëshmi të rreme.

Në këtë mënyrë, thuhet se i pandehuri me veprimet e veta dhe me dashje e ka vënë në lajthim organin kompetent -Komisionin Qeveritar, për ta vërtetuar një çështje të pavërtetë, e paraparë të shërbejë si prove në çështjen konkrete ligjore dhe deri më tani e ka dëmtuar buxhetin e Republikës Kosovës, në shumë prej 8 mijë e 840 euro.

Me këtë, ai ngarkohet se ka krye vepër penale “Legalizim i përmbajtjes se rreme” nga neni 403, paragrafi 1 i Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments