Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sot ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2022 në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfer, ku është paraparë edhe vazhdimi i programit të Ringjalljes Ekonomike pas periudhës së pandemisë.
Opozita në anën tjetër ka kritikuar Qeverinë për mospërfshirjen në projektbuxhet të Ligjit për Paga.
Lidhur me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar me kryetarin e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Sylën, pasi që këta të fundit kanë kërkuar tash e sa kohë nga Qeveria miratimin e Ligjit për Paga.
Ai ka thënë se nesër do të mblidhet edhe Këshilli Drejtues për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm.
“Nesër kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues dhe ata ndërmarrin hapat e vet, besoj që nesër do të marrim vesh pas mbledhjes”, ka thënë Syla.
Tutje, ai ka thënë se nëse nuk procedohet Ligji i Pagave, pritet të ketë greva nga punonjësit shëndetësorë.
“Ju e dini qëllimin tonë, nëse nuk ka bashkëpunim, nëse nuk procedohet Ligji i Pagave, atëherë më vjen keq por pritet të ketë greva”, ka thnëë Syla.
Kujtojmë se në fillim të këtij muaji, punonjësit shëndetësorë kanë protestuar para Qeverisë të Kosovës duke kërkuar barazi sociale përmes Ligjit të Pagave, duke thënë se kjo gjë i është premtuar më herët, por se janë mashtruar nga Qeveria.
Ata kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të reflektojë, pasi që ishin deputetët e partisë së tij që më herët kishin refuzuar votimin e Ligjit të Pagave për shkak të koeficientit të vogël për mjekët dhe infermierët, ndërsa tani që janë në pushtet, nuk po e procedojnë në Kuvend këtë ligj.