Sunday, November 24, 2024
HomeLajmeKosovaEmërimi i Rifat Latifit si Ministër i Shëndetësisë, reagon Ramush Haradinaj

Emërimi i Rifat Latifit si Ministër i Shëndetësisë, reagon Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas emërimit të Rifat Latifit në pozitën e Ministrit të Shëndetësisë.

Ai e ka përshëndetur emërimin e tij në këtë pozitë, derisa i ka uruar suksese në fuqizimin e shëndetësisë në Kosovë dhe në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Përshëndes emërimin e kirurgut të njohur Dr. Rifat Latifi në detyrën e Ministrit të Shëndetësisë. I uroj sukses në fuqizimin e shëndetësisë në Kosovë dhe në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, se Latifi është emëruar në këtë pozitë ka njoftuar kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media.

“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë. Ministri i ri i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës do të jetë profesor doktor Rifat Latifi”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Latifi të dielën ka ardhur në Prishtinë nga New York’u.

Sipas tij, ai ka kontribuar në vazhdisi në promovimin e shëndetësisë në Kosovë.

“Ai erdhi pardje nga New Yorku në Prishtinë. Ai ka studiuar për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe pastaj ka përfunduar dy specializime, atë për kirurgji të përgjithshme dhe traumatologji e reanimacion në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përvoja e tij akademike dhe profesionale përfshinë qendra sptialore dhe universitete me emër në disa shtete federale të SHBA’ve”, ka shtuar ai.

Ndërsa, me të marrë detyrën e ministrit, Latifi ka thënë se bashkë me ekipin e tij do të angazhohen që në mënyrë afatgjate të ngrisin standardet mjekësore.

Ai me këtë rast ka premtuar edhe shtim të shërbimeve shëndetësore.

“Unë premtoj se ekipi im dhe unë do të angazhohemi me gjithë qenien që në mënyrë afatgjate të ngrisim standardet mjekësore, duke ngritur edukimin dhe trajnimin e të gjithë specializimeve si dhe ngritjen e aftësive të kapaciteteve njerëzore për hulumtime shkencore në shkencat mjekësore, sikur për mjekët ashtu edhe për infermierët dhe të gjithë punëtorët tjerë shëndetësorë. Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore ne investojmë në ngritjen e kualitetit të shërbimeve dhe në këtë mënyrë shtojmë volumin e shërbimeve mjekësore në Kosovë. Me të ardhurat prej këtyre shërbimeve, ne riinvestojmë sërish në kualitet”, ka shtuar ai.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments