Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur lidhur me çështjen e largimit të bashkëpartiakut të tij nga skena politike, Arben Vitia, pas humbjes së zgjedhjeve lokale në Prishtinë.
Kurti, me anë të një konference për medie, e thirrur për t’u zyrtarizuar emërimi i ministrit të ri të Shëndetësisë, Rifat Latifi, i pyetur nga gazetarët për fatin e Vitisë në politikë, ka thënë se për këtë nuk duhet nxituar.
“Së pari, dr.Arben Vitia është kryetar i Qendrës së VV-së në Prishtinë, anëtar i Kryesisë, ai ka qenë person tejet i njohur në opinionin publik edhe para se të jetë ministër i Shëndetësisë, mirëpo se cili do të jetë angazhimi i tij në të ardhmën, nuk besoj se ka ndonjë nxitim të vendosim tani”, ka thënë ai.
“Ndërkaq sa i përket komandantit Gjeneral Lejtnant Rrahman Rama këto janë gjëra që diskutohen në nivelet më të larta, por pa dyshim kur të ketë diçka do të ju njoftoj”, ka shtuar tutje Kurti.
Vitia pati dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë për të garuar për kryetar komune në Prishtinë.