Çka do të ndodhë me qymyrin në të ardhmen?
Në prag të bisedimeve për klimën të Kombeve të Bashkuara, që u mbajtën nga 31 tetori deri më 13 nëntor në Gllasgou të Skocisë, nikoqirja e bisedimeve, Britania, njoftoi se qëllim i konferencës është heqja dorë nga përdorimi i qymyrit.
Kjo nuk ishte aq e lehtë që të bëhej. Edhe shkrimi i kësaj fjalie në marrëveshjen që u arrit, ishte sfidë e madhe.
Negociatorët nga qeveritë që morën pjesë në samitin në Gllasgou, shkruan dhe rishkruan paragrafin, ku lufta kundër ndryshimeve klimatike kërkon që bota t’i japë fund përdorimit të qymyrit për prodhimin e energjisë, së bashku me lëndët e tjera fosile. Formulimi për qymyrin u zbut në fund, për shkak të insistimit të Indisë – shtet që varet nga përdorimi i qymyrit – e cila kërkoi zëvendësimin e togfjalëshit “heqje dorë” me “reduktim” të përdorimit të qymyrit.
Më poshtë mund të mësoni se çfarë roli luan qymyri në ndryshimet klimatike dhe në sistemin e energjisë dhe pse është kaq e vështirë që të hiqet dorë nga përdorimi i qymyrit?!
Pse përqendrimi është te qymyri?
Prej tri lëndëve fosile – qymyr, naftë dhe gaz natyral – qymyri është armiku më i madh i klimës. Kjo lëndë djegëse është përgjegjëse për rreth 20 për qind të emetimeve të gazrave serrë. Gjithashtu është një lëndë djegëse që lehtë mund të zëvendësohet: alternativat e ripërtërishme ndaj energjisë së prodhuar nga qymyri janë të qasshme për dekada me radhë. Djegia e qymyrit gjithashtu ka ndikim në mjedis, përfshirë edhe ndotjen e ajrit, që kontribuon në smog dhe sëmundje të frymëmarrjes.
Kush djeg më së shumti qymyr?
Kina, që ka popullsinë më të madhe në botë dhe është gjigante e prodhimit, deri më tani është konsumatorja më e madhe në botë e qymyrit. Ajo pasohet nga India dhe Shtetet e Bashkuara.
Më 2019, Kina prodhoi 4,876 TWh (teravat në orë) energji nga qymyri, pothuajse sa krejt pjesa tjetër e botës së bashku, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (ANE).
Por, bazuar në madhësinë e popullatës, situata është më ndryshe: Australia ka emetimet më të mëdha të qymyrit për kokë banori në mesin e grupit të 20 ekonomive më të mëdha në botë, pasuar nga Koreja e Jugut, Afrika e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, thuhet në një analizë të Ember – organizatë që merret me klimën dhe energjinë.
Edhe Kosova ka qymyrin si burim bazë për prodhimin e energjisë, pasi 95 për qind të energjisë elektrike e prodhon nga djegia e qymyrit në dy termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Ndërkaq, 2.7 për qind e energjisë prodhohet nga hidrocentralet dhe 2.3 për qind nga era dhe panelet diellore.
Pse shtetet vazhdojnë të djegin qymyr?
Përgjigjja më e shkurtër për këtë pyetje është se qymyri është më i lirë dhe ka sasi të bollshme. Por, përderisa energjia e ripërtërishme po bëhet më konkurrente sa i përket çmimit, qymyri nuk është aq lehtë që të hiqet nga përdorimi. Nevojat për energji elektrike po rriten teksa po rritet edhe popullsia e botës dhe prosperiteti dhe burimet e ripërtërishme të energjisë thjesht nuk janë të mjaftueshme për t’i plotësuar të gjitha kërkesat.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që India do të duhet të shtojë sisteme të energjisë sa madhësia e sistemeve të Bashkimit Evropian, që t’i përmbushë kërkesat në rritje për energji në 20 vjetët e ardhshëm.
Roli i qymyrit në sektorin e energjisë ka qenë kryesisht i qëndrueshëm në pesë dekadat e kaluara. Statistikat e ANE-së tregojnë se më 1973, pjesa e qymyrit që ishte përdorur për prodhimin e energjisë elektrike në botë, ishte 38 për qind, ndërkaq më 2019 ishte 37 për qind.
Për çka u pajtuan palët në Gllasgou sa i përket qymyrit?
Shumë shtete që morën pjesë në samitin për klimën, shpresonin që qeveritë -për herë të parë në ndonjë marrëveshje të OKB-së për klimën – do të bënin thirrje për heqjen dorë nga qymyri. Por, formulimi për qymyrin në marrëveshjen e arritur në Gllasgou u ndryshua në fund, për shkak të rezistencës, të udhëhequr nga India. Marrëveshja, në fund, vetëm u bën thirrje shteteve që të rrisin përpjekjet e tyre “për të ulur gradualisht prodhimin e energjisë nga qymyri”, por nuk vendos ndonjë afat kohor.
Çka do të ndodhë me qymyrin në të ardhmen?
E ardhmja e qymyrit duket e zymtë në terma afatgjatë, pavarësisht vendimit të paqartë që morën liderët në samitin e mbajtur në Gllasgou.
E ardhmja e qymyrit nuk përcaktohet vetëm nga shqetësimet për klimën.
Në SHBA, gazi natyral për vite me radhë është duke e zëvendësuar qymyrin dhe kjo po ndodh për arsye ekonomike, pavarësisht se kërkesa për qymyr këtë vit është rritur, për shkak të rritjes së çmimit të gazit natyral.
Që prej Marrëveshjes së Parisit për klimën, më 2015, shumë shtete kanë vendosur objektiva për emetime zero. Këto objektiva shpesh kërkojnë ndërprerjen e prodhimit me qymyr në ato uzina që nuk kanë pajisje të shtrenjta teknologjike që e zvogëlojnë ndotjen.
Austria, Belgjika dhe Suedia kanë mbyllur tashmë edhe uzinat e fundit që kanë pasur me qymyr. Britania planifikon që të ndalojë së përdoruri qymyrin për energji deri në vitin 2024.
Këto deklarata të bëra para mbajtjes së samitit dhe gjatë samitit në Gllasgou nënkuptojnë që mbi 370 termocentrale me qymyr në mbarë botën do të mbyllen, ka thënë Qendra për Hulumtime për Energji dhe Ajër të Pastër. Megjithatë, SHBA-ja ende nuk ka dhënë zotime se do të mbyllë uzinat e saj me qymyr.