Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se fitorja e zgjedhjeve lokale nga ana e PDK-së nuk do të mund të arrihej pa lidershipin e kryetarit të ri Memli Krasniqi.
Ajo ka shkruar në faqen e saj në Facebook se kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, i ka bërë bashkë kandidatët, projektet dhe përkushtimin brenda një formule të vetme, që synon përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe shërbimin ekskluzivisht në dobi të tyre.
“Thellësisht mirënjohëse ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, që në këto zgjedhje besuan në projektin politik të PDK-së. Fitorja e PDK-së në nëntë komuna të Republikës së Kosovës që e nxjerr PDK-në fituese të këtyre zgjedhjeve, është fitore e tyre dhe për ta. Kjo perspektivë dhe ky vullnet qytetar për qeverisje kompetente, transparente e transformuese, nuk do të arrihej pa angazhimin e madh të aktivistëve dhe strukturave të PDK-së, si dhe lidershipit të Kryetarit Memli Krasniqi, i cili ka bërë bashkë kandidatët, projektet dhe përkushtimin brenda një formule të vetme, që synon përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe shërbimin ekskluzivisht në dobi të tyre”, shkruan ajo.
PDK ka fituar 9 komuna, më së shumti ndër partitë shqiptare, e nënkryetarja Çitaku iu uron punë të mbarë kryetarëve të rinj.
“Të gjithë kryetarëve të sapo zgjedhur në komunat e Kosovës, iu dëshiroj punë të mbarë dhe qeverisje në interes të qytetarëve që i kanë mandatuar”, përfundoi ajo.